Kanosja e gjyqtarit dhe prokurorit- Mbrojtja kërkon nga Apeli lirimin e Azemit, Manxhukës e të tjerëve, Prokuroria refuzon ankesat
Në Gjykatën e Apelit të mërkurën u elaboruan ankesat e mbrojtjes ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila në rigjykim kishte shpallur fajtorë dhe dënuar deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi, zëdhënësin e Qeverisë, Arlind Manxhuka, si dhe Qerim Elshanin dhe Edi Zenelajn. Mbrojtja kërkoi lirimin e të akuzuarve, kurse Prokuroria e Apelit refuzimin e ankesave.
Sipas aktakuzës, Manxhuka dhe Azemi ngarkohen për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, ndërkaq Elshani dhe Zenalaj akuzohen për “Kanosje”. Të njëjti akuzohen se me dashje kanë kanosur të dëmtuarit, gjykatësin Mentor Bajraktari dhe ish-prokurorin special, Afrim Shefkiu, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Në rigjykim, më 14 prill 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi Azemin dhe Manxhukën me nga 1 vit e 6 muaj burgim, kurse Elshanin dhe Zenelajn me nga 6 muaj burgim.
Ndaj vendimit të Themelores, ankesë kanë parashtruar: mbrojtësja e Azemit, avokatja Teutë Xhema, mbrojtësi i Elshanit, avokati Muharrem Kurtaj, mbrojtësi i Zenelajt, avokati Albatrit Bytyqi, si dhe ai i Manxhukës, avokati Taulant Hodaj.
Kolegji i Apelit në këtë rast përbëhet nga: Ferit Osmani- kryetar , Avni Mehmeti- gyqtar referues dhe Mentor Hajra- anëtar.
Gjyqtari Mehmeti tha se Prokuroria e Apelit, përmes parashtresës ka propozuar që ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve të refuzohen si të pabazuara.
Mbrojtësi i të pandehurit Arlind Manxhuka, avokati Taulant Hodaj i propozi Gjykatës të aprovojë ankesën, me arsyetimin se aktgjykimi i Themelores ka pasur shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, konstatim të gabuar të gjendjes faktike, shkelje të Ligjit Penal, si dhe vendimit lidhur me sanksionin penal.
Avokati Hodaj u thirr edhe në praktikën e Gjykatës së Strasburgut (Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut), përkatësisht përmendi rastin ëeferin kundër Sllovenisë, duke shtuar se në atë rast, që sipas tij ishte i ngjashëm me këtë, ishte vendosur në favor të palës.
Për fund, ai tha se Gjykata e Apelit duhet të ruajë lirinë e shprehjes, sepse sipas tij, nëse vazhdohet me këtë standard që kritikat të konsiderohen vepra penale, atëherë “mbi 70% e popullit të Kosovës duhet konsideruar se kanë kryer vepra penale”, e këtë e theksoi lidhur me kritikën që iu bë Gjykatës në Hagë.
Andaj, Hodaj kërkoi lirimin e të akuzuarit Manxhuka nga akuza. Fjalën e avokatit e mbështeti i akuzuari, duke shtuar se reagimi i tij nuk ka përmend asnjë emër, dhe nuk i është adresuar askujt individualisht, por ka qenë thjesht një indinjatë siç tha ai e “një qytetarit të lirë të këtij vendi”.
Kurse, mbrojtësja e Egzon Azemit, avokatja Teutë Xhema, tha se ka parashtruar ankesë për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, konstatimit të gabuar të gjendjes faktike, shkeljes së Ligjit Penal, si dhe vendimit lidhur me sanksionin penal.
Avokatja Xhema tha se cilësimi i veprës penale nuk qëndron, pas që neni në fjalë rregullon çështjet ku dikush nxitë apo përhapë publikisht përçarje mes grupeve të caktuara, e të dëmtuarit në këtë rast nuk bëjnë pjesë në këto kategori.
Rrjedhimisht, avokatja Xhema kërkoi lirimin e klientit të saj, ose kthimin e çështjes në rivendosje.
Edhe mbrojtja e Qerim Elshanit, avokati Muharrem Kurtaj, kërkoi lirimin e klientit të tij, ose kthimin e çështjes në rivendosje, pasi që, ndër të tjera, tha se në aktgjykimin e Themelores kishte shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, konstatim të gabuar të gjendjes faktike, shkelje të Ligjit Penal, si dhe vendimit lidhur me sanksionin penal.
Ndërkaq, avokati i Edi Zenelajt, Albatrit Bytyqi tha se gjykata e shkallës së parë kishte bërë një intepretim të zgjeruar të normës, duke dalë jashtë asaj që është synuar nga ligjvënësit.
Ai theksoi se raste të tjera të ngjashme përfundojnë në kundërvajtje, kurse për klientin e tij, tha se “është vënë në lëvizje Departamenti Special”. Tha se për ngjarjet e njëjta po aplikohen standarde të dyfishta.
Avokati Bytyqi kërkoi lirimin e të akuzuarit Edi Zenelaj nga akuza.
Më pas, gjykimi përfundoi derisa palët u njoftuan nga gjykatësi Osmani se brenda afatit ligjor do të pranojnë vendimin e gjykatës në formë të shkruar.
Dy të dëmtuarit, gjykatësi Mentor Bajraktari, si dhe ish-prokurori special Afrim Shefkiu, nuk ishin prezent në seancë.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 7 mars 2025, kishte shpallur aktgjykim me të cilin kishte liruar nga akuza Arlind Manxhukën, ndërsa Egzon Azemin, Qerim Elshanin dhe Edi Zenelaj i kishte dënuar me nga 6 muaj burgim. Por, Gjykata e Apelit më 27 tetor 2025 e ktheu rastin në rigjykim.
Në rigjykim, më 14 prill 2026, Themelorja dënoi Azemin dhe Manxhukën me nga 1 vit e 6 muaj burgim, kurse Elshanin dhe Zenelajn me nga 6 muaj burgim.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 8 nëntor 2023 ka ngritur aktakuzë ndaj Arlind Manxhukës, Egzon Azemit, Qerim Elshanit dhe Edi Zenelajt, të cilët ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Kanosja” dhe “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.
Sipas aktakuzës të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Manxhuka dhe Azemi ngarkohen për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, ndërkaq Elshani dhe Zenalaj akuzohen për “Kanosje”. Të njëjti po akuzohen se me dashje kanë kanosur të dëmtuarit, gjykatësin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special Mentor Bajraktari dhe prokurorin special Afrim Shefkiu.
Në aktakuzë thuhet se të pandehurit Manxhuka dhe Azemi më 28 dhjetor 2022, duke keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare nëpërmjet rrjetit social “Facebook”, me dashje kanë përhapur dhe nxitur urrejtje e mosdurim ndaj të dëmtuarve Bajraktari dhe Shefkiu, të cilët në cilësi të personave zyrtarë më 28 dhjetor 2022 kishin marrë vendim për ndryshimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarit Dejan Pantiq.
“I pandehuri Arlind ka shpërndarë postimin me fjalët: “Ky aktgjykim është akttradhëti”, pastaj kanë vazhduar me postime tjera nxitëse “Për kë punon kjo Gjykatë!?, e të ngjashme, ndërsa i pandehuri Egzon ka postuar shkrimin me fjalët: “Pas atentatit që kreu në Paris, ndaj Esat Pash Toptanit, ndër të tjera, Avniu tha”, ku këtij shkrimi i dyshuari i ka bashkangjitur një fotografi me përshkrimin: “Tradhtarët plumbin e kanë hak””, thuhet në aktakuzë.
Tutje, sipas aktit akuzues, me këto veprime të njëjtit kanë ndërmarrë veprime të rrezikshme, nxitëse e linçuese me tendenca për të ndikuar apo penguar ushtrimin e funksionit të të dëmtuarve e cila ka mund të prishë rendin publik dhe të dëmtojë imazhin dhe integritetin e tyre personal.
Me këtë, secili veç e veç, ngarkohen për veprën penale: “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” nga neni 141, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndërkaq, sipas aktakuzës të pandehurit Elshani dhe Zenelaj, menjëherë pas postimeve të të pandehurve të lartcekur në mënyrën e përshkruar si në dispozitivin e parë, të nxitur nga të njëjtit, të pandehurit me dashje kanë kanosur të dëmtuarit Afrim Shefkiu dhe Mentor Bajraktari.
“I pandehuri Qerim ka komentuar në postimin e të pandehurit Egzon Azemi me fjalët: “Atij jo plumin po bumen n’goj po u dashke me ja lshu që mos mi jet as copëza me hy n’dhe në tokën tonë!”, ndërsa i pandehuri Zenelaj kishte ndërmarrë aksion duke vendosur grafite në mure me mbishkrimin “Shtyll e Turpit Gjyqtari Mentor Bajraktari dhe Prokurori Afrim Shefkiu”, me ç’rast tek të dëmtuarit kanë shkaktuar ndjenjën e ankthit, frikës dhe pasigurisë për jetë”, thuhet në aktakuzë.
Me këtë, secili veç e veç po akuzohen se kanë kryer veprën penale të kanosjes nga neni 181, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.