Tentoi të vidhte në barnatore, kapet i dyshuari në Pejë
Foto: Laura Hasani

Tentoi të vidhte në barnatore, kapet i dyshuari në Pejë

Kronika October 21, 2026 - 20:45

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për tentim-grabitjen e një barnatoreje në rrugën “Bekim Berisha – Abeja” në Pejë.

Rasti kishte ndodhur më 12 tetor, rreth orës 19:10, kur një person i armatosur me thikë kishte hyrë në barnatore me qëllim të kryerjes së grabitjes.

Sipas Policisë, i dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes pasi kishte vërejtur se brenda objektit ndodheshin disa persona, pa ndërmarrë veprime të tjera.

“Njësitet përkatëse policore i janë përgjigjur menjëherë rastit dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes. Në konsultim me prokurorin kompetent, është iniciuar rast për veprën penale “Grabitje në tentativë”. Sektori Rajonal i Hetimeve ka ndërmarrë veprime intensive hetimore me qëllim të identifikimit dhe arrestimit të personit të dyshuar. Si rezultat i këtyre veprimeve, është identifikuar i dyshuari K. Z., mashkull i moshës madhore, i cili më 21 tetor 2026 është arrestuar në qytetin e Pejës. Pas përfundimit të veprimeve të nevojshme procedurale, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë” – thuhet në njoftimin e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë.