Prangosen dy persona në Prizren, konfiskohen barna pa banderola në vlerë prej dhjetë mijë eurosh
Kronika
November 05, 2026 - 18:05
Dy persona janë arrestuar në Prizren nën dyshimin për përfshirje në veprën penale “Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore”.
Sipas njoftimit të Policisë, thuhet se hetuesit kanë kryer kontrolle në dy biznese farmaceutike, ku kanë zbuluar depo të fshehta me barna pa banderola, të cilat mbaheshin në kushte që nuk i plotësonin standardet e ruajtjes.
“Gjatë kontrollit janë gjetur depo të fshehta, ku barna pa banderola mbaheshin në kushte që nuk përmbushin standardet e ruajtjes së barnave. Në dy lokacione, vlera e barnave të konfiskuara arrin shifrën e rreth 10 mijë euro në treg”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Po ashtu bëhet e ditur, se të dyshuarit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë. /Zëri