Dogana zbulon mallra të padeklaruara në vlerë prej 72 mijë eurosh në Vërmicë

Dogana zbulon mallra të padeklaruara në vlerë prej 72 mijë eurosh në Vërmicë

Kronika November 06, 2026 - 12:11

Dogana e Kosovës ka zbuluar mallra të padeklaruara në vlerë prej rreth 72 mijë e 600 eurosh gjatë kontrollit të një kamioni në pikën kufitare në Vërmicë.

Sipas njoftimit të Doganës, rasti është identifikuar gjatë procedurës së zhdoganimit, pasi zyrtarët doganorë kanë vërejtur mospërputhje ndërmjet peshës së paraqitur në deklaratën doganore dhe peshës faktike të kamionit.

Pas kontrollit të detajuar të automjetit dhe ngarkesës, janë zbuluar 1 mijë e 36 palë këpucë dhe 2 mijë e 980 copë veshmbathje, të cilat nuk ishin deklaruar në dokumentacionin doganor.

Dogana ka bërë të ditur se pothuajse të gjitha produktet mbanin marka tregtare të mbrojtura, ndërsa vlera e përgjithshme e tyre, pa përfshirë detyrimet e importit, vlerësohet në rreth 72 mijë e 600 euro.

Lidhur me rastin janë ndërmarrë veprimet përkatëse, ndërsa procedura administrative është në vazhdim. Për trajtimin e mëtejmë janë njoftuar edhe organet kompetente.

Dogana e Kosovës ka rikujtuar se mosdeklarimi ose deklarimi i pasaktë i mallrave mund të përbëjë shkelje të legjislacionit doganor dhe të sjellë masa ligjore, përfshirë pagesën e detyrimeve të importit. /Zëri