Gjashtë vjet burg burrit që për tre vjet e detyroi një grua të punonte në prostitucion në Gjakovë
Gjykata Themelore në Gjakovë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka dënuar me gjashtë vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë një person me inicialet A.P., i shpallur fajtor për veprën penale “Trafikimi me njerëz”.
Sipas aktgjykimit, të pandehurin e ka shpallur fajtor gjyqtari Samedin Cena, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor.
Sipas dosjes së rastit, A.P. akuzohet se nga marsi i vitit 2021 deri më 30 janar 2024, në Gjakovë dhe në lokacione të tjera, ka trafikuar një grua me inicialet A.V. nga Prishtina, përmes kanosjes, përdorimit të forcës, punës së detyruar dhe formave të tjera të dhunës fizike e psikike, me qëllim të përfitimit nga shfrytëzimi i saj.
Aktakuza përshkruan se i pandehuri fillimisht kishte krijuar kontakt me viktimën përmes rrjeteve sociale dhe më pas ishte takuar me të në lokalin e tij në Deçan. Në mars të vitit 2021, ai e kishte sjellë për të punuar në lokalin e tij në Gjakovë, ndërsa më pas e kishte dërguar edhe në lokale me muzikë live në Pejë dhe në fshatin Volljak të Komunës së Klinës, transmeton Zeri.info.
Sipas gjykatës, gruaja ishte detyruar të punonte kundër vullnetit të saj, ndërsa të gjitha të ardhurat nga puna i merrte i pandehuri. Në rastet kur paratë nuk merreshin drejtpërdrejt nga lokalet, ajo detyrohej t'ia mbulonte atij obligimet financiare, përfshirë qiranë e lokalit, pagat e punëtorëve dhe këstet e kredisë.
Dënimi me gjobë prej 3 mijë eurosh do të ekzekutohet 30 ditë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit. /Zëri