Ia mori jetën dhe ia varrosi trupin Enver Bajraktarit, ngrihet aktakuzë ndaj Top Kolshit
Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj Top Kolshit, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas aktakuzës, ngjarja e rëndë ka ndodhur më 3 gusht 2025, në fshatin Baicë të Komunës së Lipjanit, pas një mosmarrëveshjeje paraprake ndërmjet të pandehurit dhe tani të ndjerit Enver Bajraktari.
Në aktakuzë theksohet se Kolshi dyshohet se "e ka privuar nga jeta në mënyrë mizore duke e goditur fillimisht me një mjet të fortë në pjesë të ndryshme të trupit dhe më pas duke e lidhur me një litar rreth qafës, si pasojë e së cilës viktima ka pësuar asfiksi mekanike dhe ka humbur jetën".Sipas Prokurorisë, pas kryerjes së veprës, "i pandehuri dyshohet se trupin e viktimës e ka tërhequr zvarrë dhe e ka fshehur në një gropë, të cilën më pas e ka mbuluar me dhe, duke fshehur mjetet të cilat i kishte përdorur gjatë kryerjes së veprës penale".
Ndërkaq, gjatë kontrollit të realizuar në shtëpinë e të pandehurit në fshatin Baicë, Prokuroria tha se janë gjetur dhe sekuestruar disa armë të kalibrave të ndryshëm, përfshirë armë automatike, pushkë dhe municion, të cilat dyshohet se mbaheshin pa autorizim përkatës.
Me rastin e ngritjes së aktakuzës, prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës kompetente që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.