Një banesë në Ferizaj bëhet shkrumb e hi, banorët për mbi dy orë e kaluan natën jashtë

Një banesë në Ferizaj bëhet shkrumb e hi, banorët për mbi dy orë e kaluan natën jashtë

Kronika November 22, 2026 - 11:06

Një banesë në Ferizaj është përfshirë nga flakë të mëdha, mëngjesin ndërmjet së shtunës dhe së dielës.

Sipas pamjeve të siguruara nga Klan Kosova, shihet një flakë e madhe që depërton përtej mureve të banesës.

Qytetarët kanë treguar për klankosova.tv se kanë qenë të frikësuar dhe në panik nga situata me zjarrin. Ata kanë dërguar edhe pamjet, sipas së cilave, banorët është dashur edhe të evakuohen.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli ka bërë të ditur se Policia është njoftuar për zjarrin më 22 nëntor, rreth orës 02:58 pas mesnatës.

Sipas tij, rasti ka ndodhur në rrugën “Sali Çeku”, në katin e 4-të të një kompleks banesor.

Njësitet policore, sipas tij, në bashkëpunim me zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencës, kanë evakuuar banorët e hyrjes dhe të ndërtesës, me qëllim të sigurimit të jetës dhe sigurisë së tyre.

“Zjarri është shuar plotësisht rreth orës 05:15, pas së cilës banorëve u është lejuar të kthehen në banesat e tyre”, shtoi ai.

Ai bëri të ditur se si pasojë, janë shkaktuar dëme materiale, ndërsa një zjarrfikës ka pësuar djegie në dorë, përveç kësaj nuk raportohet për persona tjerë të lënduar.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit policorë. Me udhëzim të prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Incident zjarri”, ndërsa vendi i ngjarjes mbetet nën mbikëqyrjen e Policisë deri në përfundimin e ekzaminimit forenzik.