Me shfaqjen “Gideon’s Knot” u prezantua Bosnjë e Hercegovina në “PIFT 2026”
Nata e dytë e Prishtina International Theater Festival – PIFT 2026 solli në Teatrin Kombëtar të Kosovës shfaqjen “Gideon’s Knot” nga Bosnjë e Hercegovina, një dramë emocionale që trajton marrëdhëniet njerëzore, komunikimin dhe presionin emocional që shpesh mbetet i pathënë.
Para shfaqjes, në konferencën për media, detaje rreth produksionit ndanë regjisorja Selma Alispahic dhe drejtori i Teatrit të të Rinjve në Sarajevë, Ismir Fazlic. Ata u shprehën të kënaqur me organizimin e festivalit dhe pjesëmarrjen në PIFT, duke theksuar se tema e shfaqjes lidhet me realitetin e përditshëm dhe sfidat me të cilat mund të përballet çdo individ.
Regjisorja Alispahië theksoi se “Gideon’s Knot” trajton komunikimin ndërmjet prindërve dhe institucioneve, si dhe raportet njerëzore që shpesh mbeten të ngarkuara nga heshtja dhe mungesa e mirëkuptimit.
Sipas saj, shfaqja është “një rrëfim i fuqishëm emocional që fton publikun të reflektojë mbi përgjegjësinë, empatinë dhe pasojat e heshtjes”.
Ndërkaq, drejtori Ismir Fazlic falënderoi organizatorët e festivalit për mikpritjen dhe mundësinë që kjo shfaqje të prezantohet para publikut në Kosovë, duke shtuar se bashkëpunimet kulturore ndërmjet vendeve të rajonit janë të rëndësishme për zhvillimin e artit dhe shkëmbimin e përvojave teatrore.
Më pas, në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, publiku ndoqi një shfaqje të ndërtuar pothuajse tërësisht mbi emocionin dhe intensitetin e dialogut. Në një atmosferë të qetë, por të ngarkuar emocionalisht, dy personazhet gradualisht zbërthenin tensionin, dhimbjen dhe përplasjen mes tyre.
Selma Alispahië u paraqit në rolin e Corryn, nënës së Gideonit, një personazh i mbushur me dhimbje, revoltë dhe kërkim për përgjigje, ndërsa Dzana Dzanic interpretoi rolin e Heather, mësueses, e cila mundohej të ruante qetësinë përballë situatës emocionale që zhvillohej në skenë.
Përmes interpretimeve të tyre, shfaqja krijoi momente të heshtura tensioni, ngritje emocionale dhe përballje të forta psikologjike, ku çdo fjali dhe reagim sillte një shtresë të re emocioni. Minimalizmi skenik dhe mungesa e elementeve të tepërta bënë që fokusi të mbetej tek rrëfimi dhe te pesha emocionale që bartnin personazhet.
“Gideon’s Knot” u realizua nën regjinë e Selma Alispahië, ndërsa adaptimin dhe dramaturgjinë e realizoi Adnan Lugonië. Në fund të shfaqjes, publiku e përcolli interpretimin me duartrokitje të gjata, ndërsa emocionet dhe atmosfera që solli drama mbetën të pranishme në sallë edhe pas përfundimit të saj. /kultplus