Baleti Kombëtar i Kosovës mahnit publikun në Bogota me “Carmina Burana”
Bogotá ka mirëpritur Baletin Kombëtar të Kosovës në kuadër të turneut në Amerikën Latine, me shfaqjen “Carmina Burana”, të realizuar në Teatro Municipal Jorge Eliécer Gaitán para më shumë se 1800 spektatorëve.
Shfaqja me koreografi të Toni Candeloro u prit me duartrokitje të gjata dhe emocione të forta nga publiku kolumbian, duke e kthyer mbrëmjen në një nga ngjarjet më të veçanta artistike të turneut.
Para shfaqjes, Ambasada e Kosovës në Kolumbi organizoi një pritje zyrtare për diplomatë, ambasadorë, artistë dhe personalitete të jetës kulturore.
Në këtë aktivitet morën fjalën Artan Duraku, Carolina Deik dhe Patricia Cortés Ortiz, të cilët theksuan rëndësinë e artit dhe kulturës në forcimin e lidhjeve ndërmjet popujve dhe shteteve.
Mbrëmja artistike në teatrin kryesor të Kolumbisë u cilësua si një sukses i rëndësishëm për promovimin e kulturës së Kosovës në arenën ndërkombëtare./KultPlus