Promovohet në Durrës libri “Kërkime Arkeologjike”, i studiuesit Afrim Hoti

Promovohet në Durrës libri “Kërkime Arkeologjike”, i studiuesit Afrim Hoti

Kultura May 22, 2026 - 15:18

Në nëntokën e Durrësit fshihet një histori mijëravjeçare, por sipas arkeologëve ajo vijon të rrezikohet nga ndërtimet dhe ndërhyrjet e pakontrolluara në qytet.

Libri shkencor “Kërkime Arkeologjike”, i arkeologut dhe studiuesit Afrim Hoti, u promovua në ambientet e jashtme të Muzeut Arkeologjik të Durrësit, me pjesëmarrjen e specialistëve të fushës.

Botimi përmbledh 16 artikuj shkencorë që trajtojnë periudhat antike dhe mesjetare, me fokus të veçantë në Durrësin arkeologjik dhe trashëgiminë e tij.

“Libri që promovohet sot i përket kolanës që është botuar me rastin e përvjetorit të arkeologëve të njohur, që hedh dritë mbi aktivitetin kërkimor-shkencor që është bërë në Durrës gjatë viteve 1980-2000. Nëntoka e Durrësit është një rezervat i madh, Durrësi përfshihet në familjen e madhe mesdhetare dhe evropiane. Për UNESCO-n, Durrësi dhe Apolonia janë në trashëgiminë botërore mesdhetare që nga viti 1989”, është shprehur ai.

Studiuesi Afrim Hoti ngriti shqetësimin se, pavarësisht ekzistencës së ligjeve për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, gjatë ndërtimeve vijojnë të evidentohen shkelje që dëmtojnë pasurinë arkeologjike të qytetit.

“Privatizimi i tokës dhe kujdesi jo i mjaftueshëm i organeve të pushtetit qendror dhe lokal, edhe pse ka ligje dhe dispozita që e mbrojnë, shpesh sjellin shkelje”, ka theksuar ai.

Sipas Hotit, mesazhi kryesor i librit është ndërgjegjësimi për ruajtjen e trashëgimisë arkeologjike dhe nevoja që zhvillimi urban të mos dëmtojë historinë e qytetit.

 “Ky libër është një mesazh për të gjithë, jo vetëm për organet e pushtetit, që të tregojnë më shumë kujdes dhe të zbatojnë kërkesat që ka ligji për trashëgiminë kulturore”, ka vijuar më tej.

Në libër pasqyrohen të dhëna të mbledhura nga ekspedita dhe gërmime të viteve 1980-2000, brenda dhe jashtë kështjellës bizantine të Durrësit.