“The Fortress” u prezantua nga Italia, solli ritualin skenik dhe dramën ekzistenciale në Prishtina International Theater Festival 2026

“The Fortress” u prezantua nga Italia, solli ritualin skenik dhe dramën ekzistenciale në Prishtina International Theater Festival 2026

Kultura May 22, 2026 - 13:30

Mes dritave të skenës, tingujve të muzikës tradicionale dhe një atmosfere të mbushur me simbolikë teatrale, nata e katërt e Prishtina International Theater Festival 2026 e shndërroi Teatrin Kombëtar të Kosovës në një hapësirë artistike ku u bashkuan kultura, kujtesa dhe reflektimi njerëzor.

Këtë mbrëmje, Italia u prezantua para publikut me shfaqjen eksperimentale The Fortress, një produksion që solli në skenë një gjuhë teatrale fizike, rituale dhe emocionalisht të fuqishme.

Para shfaqjes, në kuadër të programit zyrtar të festivalit, u mbajt konferenca për media me ekipin artistik italian. Regjisori Andrea Benaglio u shpreh se pjesëmarrja në PITF ka qenë një ëndërr për ekipin e tij dhe se ndihet i lumtur që është pjesë e këtij festivali ndërkombëtar. Ai foli edhe për procesin krijues të shfaqjes “The Fortress”, duke theksuar se publiku do të ketë mundësinë të shohë një qasje eksperimentale dhe emocionale në skenë.

Në mbrëmje, në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, publiku u përball me një performancë krejtësisht ndryshe nga format tradicionale të teatrit. E bazuar mbi romanin “Fortress” të Meša Selimoviëit, shfaqja zhytet në reflektime të thella ekzistenciale mbi drejtësinë, lirinë, individin dhe përplasjen me pushtetin e organizuar.

Duke marrë frymëzim nga Sarajeva e periudhës osmane dhe nga shtresat multikulturore të Ballkanit, produksioni italian ndërton një univers teatror ku njeriu mbetet në qendër të konfliktit mes ndërgjegjes dhe sistemit. Përmes muzikës tradicionale, këngëve live dhe përdorimit simbolik të objekteve në skenë, “The Fortress” solli një dimension të fuqishëm emocional, ku dhimbja, rezistenca dhe kërkimi për drejtësi bëheshin pjesë e së njëjtës gjuhë artistike.

Në performancë interpretuan Andrea Benaglio, Gioele Codara, Alina Fofanova, Lucia Secomandi dhe Nadia De Giorgis duke ndërtuar një univers kolektiv në skenë, ku personazhet shpesh shkriheshin mes simbolikës, lëvizjes fizike dhe dimensionit ritual të performancës. Shfaqja zgjati 55 minuta pa ndërprerje, duke ruajtur intensitetin emocional nga fillimi deri në fund.

Përmes fragmenteve tekstuale të përzgjedhura nga romani dhe komunikimit fizik mes aktorëve, elementet skenografike minimaliste, objektet simbolike dhe muzika tradicionale u shkrinë në një gjuhë teatrale të pazakontë, duke e bërë publikun pjesë të një përvoje immersive dhe rituale.

Pamjet skenike të shfaqjes krijuan një poezi vizuale të fuqishme: trupat e aktorëve të zhytur në ritëm, lëvizjet ceremoniale dhe heshtjet e gjata krijuan ndjesinë e një bote të pezulluar mes memories, historisë dhe rezistencës njerëzore. Nata italiane në Prishtina International Theater Festival 2026 u mirëprit me interes nga publiku artdashës, duke dëshmuar edhe një herë se festivali vazhdon të mbetet një hapësirë ku kultura të ndryshme takohen përmes artit skenik dhe emocioneve universale njerëzore. /kultplus