Festivali “MonoAkt” themelon Qendrën e Monodramës në Kosovë

Festivali “MonoAkt” themelon Qendrën e Monodramës në Kosovë

Kultura June 11, 2026 - 21:11

Sikurse viteve të kaluara, edhe edicioni i XVIII-të i Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës “MonoAkt”, përshkohet nga një program i pasur dhe i larmishëm, duke sjellë monodrama nga shumë vende të botës.

Ky festival tashmë përmban brenda vetes edhe katër festivale në konkurrenca të ndryshme teatrore si: MonoAkt, MonoAkt+, Monostripi dhe Monoperformanca.

Përveç këtyre aktiviteteve, pika kryesore e festivalit ishte konferenca ndërkombëtare teatrore, me ç’rast është themeluar Qendra e Monodramës, ndërkaq janë mbajtur edhe punëtori teatrore, promovime të teksteve teatrore dhe të monodramës, si dhe ekspozita teatrore.

Drejtori i Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës MonoAkt, Mentor Zymberaj, u shpreh se “Themelimi i Qendrës së Monodramës do të ketë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e monodramës dhe monoperformancës si gjini artistike, jo vetëm në Kosovë, por edhe në botë”.

Në çdo edicion, festivali synon të sjellë monodramat më të realizuara dhe më të suksesshme të nivelit ndërkombëtar, prandaj edhe konkurrenca e artistëve është e madhe, të cilët vijnë nga vende si: Spanja, Gjermania, Franca, Ukraina, Moldavia, Kolumbia, Italia, Uzbekistani, Maqedonia, Mali i Zi, Shqipëria dhe Kosova.

Nënkryetarja e Forumit Ndërkombëtar të Monodramës, Nina Mazur, duke theksuar karakterin ndërkombëtar dhe hartën e këtij festivali që sjell pjesëmarrës nga vende të ndryshme, tha se “Secili artist sjell ngjyrën e vet artistike dhe çdo shfaqje është e ndryshme. Dhe ju e kuptoni se pikërisht nga këto ngjyra mund të krijohet një tablo e vërtetë e botës moderne”.

Përgjatë festivalit, gjithashtu organizohen vizita në vende të ndryshme të Kosovës si pjesë kulturore e festivalit, me qëllim që pjesëmarrësit të njihen për së afërmi me trashëgiminë kulturore të vendit dhe njëherësh të promovohen vendet turistike që ka Kosova.

Festivali MonoAkt, përgjatë XVIII edicioneve, ka arritur të anëtarësohet në shumë asociacione ndërkombëtare, duke e zhvilluar monodramën në Kosovë si një ndër zhanret më të vështira skenike për t’u trajtuar dhe luajtur.

Festivali MonoAkt, që ka filluar më 7 qershor, do të përmbyllet më 12 qershor në Teatrin Dodona në Prishtinë, ku do të bëhet ndarja e çmimeve dhe mirënjohjeve nga juria e festivalit, e përbërë nga: Nina Mazur (Gjermani-Ukrainë), Slobo Marunoviç (Mali i Zi) dhe Hazir Haziri (Kosovë).