Infektologu Sadiku: Vaksina kundër fruthit s’ka asnjë lidhje me autizmin
Infektologu Izet Sadiku ka deklaruar se vaksina kundër fruthit është e sigurt dhe nuk ka asnjë lidhje me autizmin.
Në një intervistë në Radio Dukagjini, ai kundërshtoi hapur dezinformatat që kanë ulur normën e vaksinimit në Kosovë.
Sadiku rikujtoi se studimi i vitit 1998 që e lidhi gabimisht vaksinën me autizmin është tërhequr dhe autori i tij është diskredituar.
Ai theksoi se rrjetet sociale kanë përhapur dezinformata, duke ndikuar që rreth 5 mijë fëmijë në Kosovë të mos vaksinohen në kohë.
“Fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse që mund të shkaktojë komplikime serioze, sidomos te fëmijët e pavaksinuar. Vaksina është e sigurt dhe efektive, ndërsa autizmi nuk ka asnjë lidhje me vaksinimin”, u shpreh Sadiku.
Ai u bëri thirrje prindërve që të respektojnë kalendarin e vaksinave për të mbrojtur fëmijët nga shpërthimet e fruthit dhe për të garantuar shëndetin e komunitetit.