Për gjashtë muaj, mbi tre mijë kimioterapi në Hematologjinë e QKUK-së
Foto: Laura Hasani

Për gjashtë muaj, mbi tre mijë kimioterapi në Hematologjinë e QKUK-së

Shëndetësi August 20, 2026 - 16:45

Klinika e Hematologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka publikuar statistikat e punës për periudhën janar–qershor 2026, duke raportuar një vëllim të lartë të shërbimeve diagnostike dhe terapeutike.

Sipas të dhënave të klinikës, gjatë gjashtë muajve të parë të vitit janë realizuar 3,175 vizita ambulantore dhe 416 hospitalizime.

Në të njëjtën periudhë janë kryer 6,821 ekzaminime të gjakut, ndërsa në shërbimin e Kimioterapisë Ditore janë realizuar 3,064 kimioterapi, transmeton Zeri.info.

Klinika ka kryer gjithashtu 610 interpretime të strishos së gjakut periferik, 199 punksione aspirative të palcës kockore dhe 196 biopsi të palcës kockore.

Hematologjia në QKUK është qendra referente e nivelit terciar në Kosovë për trajtimin e sëmundjeve malinje dhe jo-malinje të gjakut. Në këtë klinikë trajtohen, ndër të tjera, anemitë, leukemitë kronike dhe akute, sëmundjet limfoproliferative dhe mieloproliferative, mieloma multiple, sindroma mielodisplazike, çrregullimet e trombociteve dhe hemostazës, si dhe sëmundjet e trashëguara, përfshirë hemofilitë.

Përveç Kimioterapisë Ditore, ku pacientët me sëmundje malinje marrin trajtimin sipas protokolleve bashkëkohore, në kuadër të klinikës funksionon edhe Njësia e Mjekimit Gjysmëintensiv.

Në këtë njësi ofrohet trajtim i vazhdueshëm dhe terapi intensive kimioterapeutike për pacientët me leukemi akute.

Nga klinika është theksuar se këto të dhëna pasqyrojnë gamën e gjerë të shërbimeve të specializuara dhe ngarkesën e lartë të punës së stafit mjekësor gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit./Zëri