“Të pres me fitore, të dua” - Brikena emocionon Mateon me parashutë
Nuk ka asgjë më emocionuese sesa konfirmimi i dashurisë, sidomos kur je i izoluar brenda katër mureve të shtëpisë më të famshme në Shqipëri dhe finalja po afron. Brikena Selmani, e cila mbylli rrugëtimin e saj intensiv në “Big Brother VIP” të shtunën e kaluar, ka gjetur mënyrën perfekte për t’i qëndruar pranë partnerit të saj, Mateos, pavarësisht distancës.
Ditën e sotme, një parashutë romantike ka fluturuar mbi oborrin e shtëpisë, duke mbajtur një mesazh të qartë, të drejtpërdrejtë dhe të mbushur me ndjenja: “Të pres me fitore, të dua”. Kjo surprizë e papritur nga ajri e ka prekur jashtë mase Mateon, i cili është shfaqur tejet i emocionuar dhe me sytë që i shkëlqenin nga gëzimi.
Teksa shikonte nga qielli, ai nuk i kurseu fjalët e ëmbla duke e cilësuar atë si “parashutën më të bukur në botë”. Një moment i tillë vërteton se romanca e tyre, e cila nisi mes mureve të shtëpisë dhe kaloi jo pak ulje-ngritje, po bëhet gjithnjë e më e fortë jashtë lojës.
E gjithë kjo surprizë vjen fiks pas deklaratave të forta dhe mjaft të sinqerta që Brikena bëri gjatë daljes së saj të parë televizive në “Big Brother Fanclub”. Ish-banorja e bëri të qartë para të gjithë publikut se për të, loja apo çmimi i madh kaluan në plan të dytë kur u përfshinë ndjenjat. “Unë nuk dola e humbur nga ai program, përkundrazi, fitova dashurinë”, u shpreh ajo me bindje të plotë. Për më tepër, Brikena theksoi se gjërat jashtë po ecin me ritme të shkëlqyera dhe të papritura për publikun. Ajo tregoi se ka komunikuar menjëherë me familjarët e Mateos dhe se lidhja e tyre ka mbështetjen e plotë të të dyja palëve. “Familja ime e do shumë Mateon dhe mezi presin ta takojnë”, zbuloi ajo, duke shuar kështu përfundimisht çdo dyshim apo zë kritik mbi të ardhmen e këtij çifti.
Tani mbetet vetëm të shohim nëse Mateo do t’i përgjigjet kërkesës së Brikenës për të dalë si fitues nga kjo lojë e madhe mendore, por një gjë mbetet e sigurt: kurorën e dashurisë ata e kanë siguruar tashmë. /Prive By Liberta Spahiu