Stingu thotë se nuk do t'ua lërë pasurinë milionëshe fëmijëve të tij: Duhet të punojnë vetë, i arsimova
Këngëtari britanik Sting (Gordon Matthew Thomas Sumner) ka folur sërish hapur për mënyrën se si e sheh pasurinë dhe trashëgiminë, duke thënë se t’u lësh fëmijëve të tu paratë pa u munduar vetë “mund të jetë një lloj abuzimi”.
Në një intervistë të fundit për CBS Sunday Morning me Mark Phillips, Sting shpjegoi se, sipas tij, gjëja më e keqe që mund t’i bësh një fëmije është t’i thuash se nuk ka nevojë të punojë, shkruan The Independent.
“Mendoj se gjëja më e keqe që mund t’i bësh një fëmije është t’i thuash: ‘Nuk ke pse të punosh’. Mendoj se kjo është një formë abuzimi, të cilës shpresoj të mos i jem kurrë fajtor,” u shpreh ai.
Ai theksoi se nuk planifikon t’u krijojë fonde besimi (trust funds) gjashtë fëmijëve të tij, duke i quajtur ato si një barrë që mund t’u rëndojë në jetë, në vend se t’i ndihmojë. Sting tha se u ka bërë të qartë fëmijëve se ai po e shpenzon pasurinë e tij dhe se prioritet për të është t’u ofrojë arsimim dhe bazat e nevojshme, por jo një jetë pa përgjegjësi.
“Po i shpenzoj paratë tona. Po ju paguaj shkollimin. Keni këpucë në këmbë. Shkoni në punë,” është mesazhi që ai thotë se ua përsërit shpesh.
Sipas Sting, fëmijët duhet të “gjejnë rrugën e tyre” dhe të kenë mundësinë të ndërtojnë suksesin me meritën personale, pa u mbështetur në emrin apo pasurinë e prindit. Ai shtoi se nuk dëshiron t’ua “vjedhë” atë që e quan “aventura e jetës”: të fitosh vetë bukën dhe të krijosh pavarësi.
Sting ka gjashtë fëmijë: Joe (49), Fuschia (44), Mickey (42), Jake (40), Eliot (35) dhe Giacomo (30). Ai e ka trajtuar këtë temë edhe më herët, në intervista të ndryshme ndër vite, duke e mbajtur të njëjtën linjë: edukimi dhe mbështetja po, por jo pasuri e garantuar pa punë.