Rama thirrje për mbështetjen e Shqipërisë: Voto 13, për Alisin!

Rama thirrje për mbështetjen e Shqipërisë: Voto 13, për Alisin!

Showbiz May 14, 2026 - 14:45

Kryeministri Edi Rama ka bërë thirrje publike për mbështetjen e përfaqësuesit shqiptar në Eurovision 2026, artistit Alis me këngën “Nân”, i cili do të garojë mbrëmjen e sotme në Vjenë, ku zhvillohet gjysmëfinalja e dytë.

Në një mesazh drejtuar qytetarëve jashtë vendit, Rama ka inkurajuar publikun që të votojë numrin 13 për Shqipërinë, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së artistit shqiptar në këtë kompeticion ndërkombëtar.

“Le të mbështesim artistin dhe përfaqësuesin tonë në Eurovision, Alis, dhe ta bëjmë zërin shqiptar të dëgjohet në gjithë Evropën dhe më gjerë”, shkruan Rama.

Thirrja shoqërohet edhe me apel për votim masiv nga diaspora dhe publiku jashtë vendit, ku vota për Shqipërinë jepet përmes numrit 13, sipas udhëzimeve të votimit të Eurovision.

Mbrëmjen e sotme, Alis do të ngjitet në skenën e Eurovision Song Contest 2026 për të përfaqësuar Shqipërinë me këngën “Nân”, që sjell një mesazh të fuqishëm dhe prekës mbi figurën e nënës në familjen shqiptare.

Publiku shqiptar jashtë vendit mund të mbështesë Alis me kodin 13 duke votuar gjatë kohës kur televotimi të shpallet i hapur në transmetimin live të gjysmëfinales. Ndërsa shqiptarët që jetojnë në vende jo-pjesëmarrëse mund të votojnë online përmes platformës zyrtare të Eurovisionit: esc.vote.

Votimi online përmes platformës esc.vote është hapur prej mesnatës dhe do të qëndrojë deri pak para nisjes së natës së gjysmëfinales së dytë. Ndërsa votimi me SMS me kodin përkatës të këngëtarit (Alis me kodin 13) hapet pas performimit të të gjithë këngëtarëve gjatë natës live të gjysmëfinales së dytë dhe do të qëndrojë i hapur për rreth 18 minuta.

Publiku shqiptar do të mund ta ndjekë spektaklin drejtpërdrejt në kanalet e Radio Televizioni Shqiptar: RTSH1 HD, RTSH Muzikë dhe Radio Tirana 1. /rtsh.al

Image