Sunny Hill Festival konfirmon emra të rinj: Keinemusik, Seth Troxler, Carlita, Manifest
Sunny Hill Festival ka zbuluar artistët e rinj që do të performojnë në edicionin e këtij viti, duke paralajmëruar një verë spektakolare në Prishtinë.
Festivali do të mbahet më 31 korrik, 1 dhe 2 gusht dhe pritet të sjellë një nga organizimet më të mëdha muzikore në rajon.
Në mesin e emrave të konfirmuar janë disa prej artistëve më të njohur të skenës elektronike ndërkombëtare, përfshirë Keinemusik, me performancat e Adam Port dhe Rampa, si dhe Seth Troxler, Carlita dhe Manifest.
Organizatorët kanë bërë të ditur se ky është vetëm fillimi i listës së artistëve dhe se në ditët në vijim do të publikohen edhe emra të tjerë të mëdhenj të muzikës botërore, së bashku me artistë vendorë që do të jenë pjesë e programit artistik të festivalit.
Sipas tyre, pritjet për këtë edicion janë rekord, pasi deri më tani janë konfirmuar blerës të biletave nga më shumë se 50 shtete të botës.
Interesimi i madh ka bërë që festivali të zgjerojë rrjetin e shitjes së biletave në të gjitha shtetet e Evropës, në United States dhe në vende të tjera anembanë globit.
Rëndësia e festivalit po reflektohet edhe në ndikimin ekonomik që pritet të sjellë këtë verë.
Organizatorët theksojnë se hoteleria në Prishtinë dhe qytetet përreth tashmë ka nisur të mbushet me rezervime, ndërsa shumë brende të njohura ndërkombëtare dhe lokale do të jenë pjesë e përvojës së këtij edicioni.
“Ky edicion nuk është vetëm një festival i zakonshëm i muzikës; është një dëshmi e rritjes sonë si destinacion global. Prishtina po mirëpret botën”, thuhet nga ekipi organizativ i festivalit.