Bebe Rexha shkëlqen në “Wembley”, interpreton hitet e saj para mijëra spektatorëve në “Summertime Ball 2026”

Bebe Rexha shkëlqen në “Wembley”, interpreton hitet e saj para mijëra spektatorëve në “Summertime Ball 2026”

Showbiz June 07, 2026 - 14:07

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, ka shënuar një moment të rëndësishëm në karrierën e saj duke performuar për herë të parë në festivalin e njohur britanik "Summertime Ball 2026".

Artistja ishte një nga emrat e përzgjedhur për të ngjitur në skenën e Wembley Stadium në Londër, ku para një publiku të madh dhuroi një performancë plot energji dhe emocion.

Bebe tërhoqi vëmendjen jo vetëm me vokalin e saj, por edhe me paraqitjen. E veshur me geta të zeza, një bluzë xhinsi dhe një xhaketë rozë, artistja shqiptare mahniti të pranishmit me stilin e saj unik dhe dukjen e kuruar deri në detaje.

Gjatë performancës së saj, ajo interpretoi pesë këngë të njohura nga repertori i saj, duke nisur me “In The Name Of Love”, për të vazhduar me versionin dance të “Me, Myself & I”, më pas me “New Religion”, “Sad Girls” dhe duke e përmbyllur setin me superhitin “I'm Good”.

Publiku në Stadiumin "Wembley" reagoi me entuziazëm gjatë gjithë performancës, duke kënduar bashkë me artisten në shumë prej këngëve të saj.

Një nga momentet më të veçanta të mbrëmjes ishte interpretimi për herë të parë live i këngës “Sad Girls”, bashkëpunimi i saj më i ri me producentin dhe DJ-në e njohur francez, David Guetta. Ndërkohë, performanca e hitit “New Religion” para rreth 80 mijë spektatorëve u prit jashtëzakonisht mirë nga publiku i pranishëm.

Paraqitja në "Summertime Ball 2026" vjen si një tjetër sukses i rëndësishëm për Bebe Rexhën, e cilanë pak ditë do të publikojë edhe albumin e saj të ri "Dirty Blonde". /telegrafi