Pas një nate festive deri në agim, Dua Lipa dhe Callum Turner shihen në hotelin e tyre në Sicili
Dua Lipa dhe Callum Turner kanë festuar martesën e tyre me një ceremoni madhështore në Sicili, e cila sipas raportimeve ka kushtuar rreth 1.5 milion funte (afërsisht 1.8 milion euro).
Këngëtarja 30-vjeçare dhe aktori 36-vjeçar organizuan festën në vilën historike Villa Valguarnera pranë Palermos, vetëm pak ditë pasi kurorëzuan zyrtarisht martesën në Londër.
Në festë morën pjesë rreth 200 të ftuar, ndërsa dasma vazhdoi deri në orën 06:00 të mëngjesit dhe u mbyll me një spektakël fishekzjarresh, shkruan DailyMail.
Një nga momentet më të veçanta të ceremonisë ishte performanca e Elton John, i cili interpretoi këngën e tij të famshme “Your Song”.
Ndërkohë, Donatella Versace kishte dizajnuar dy fustanet e bardha që Dua veshi gjatë mbrëmjes.
Sipas burimeve, dasma përfshiu edhe elemente të traditës shqiptare, me muzikë dhe valle shqiptare që emocionuan familjen e këngëtares. Prindërit e Duas u panë duke duartrokitur dhe vallëzuar gjatë performancave.
Masat e sigurisë ishin të jashtëzakonshme gjatë gjithë eventit, me kontroll të rreptë për stafin dhe të ftuarit, ndërsa privatësia e çiftit u ruajt në maksimum.
Pas festës maratonë, Dua dhe Callum u shfaqën të dielën në tarracën e hotelit ku po qëndronin, duke kaluar kohë me familjarët dhe miqtë e tyre më të afërt. /telegrafi
