Dua Lipa feston ditëlindjen e 31-të mes pushimeve luksoze në Ibiza me familjarët dhe shoqërinë
Ylli shqiptar i muzikës pop, Dua Lipa, ka nisur festimet për ditëlindjen e saj të 31-të, duke shijuar një tjetër arratisje luksoze, këtë herë në Ibiza.
Këngëtarja e hitit “Levitating”, e cila feston sot 31-vjetorin, është fotografuar duke u argëtuar në një jaht luksoz në Ibiza, ku ka tërhequr vëmendjen me një bikini me print leopardi.
Dua është shfaqur në humor të mirë, teksa ka pozuar në mënyrë lozonjare dhe është hedhur nga jahti në ujërat e ishullit spanjoll, shkruan The Sun.

Në këtë udhëtim, asaj i janë bashkuar motra e saj modele, Rina, 25 vjeçe, dhe vëllai i saj, DJ Gjin, 20 vjeç.
Familja ka kaluar kohë duke pushuar dhe festuar në Ibiza, ndërsa gjithashtu kanë vizituar klubin e famshëm të natës DC-10.
Ky është vetëm një prej disa udhëtimeve luksoze që Dua ka bërë gjatë këtij viti. Profili i saj në Instagram është mbushur vazhdimisht me fotografi nga destinacione të ndryshme, ku ajo shfaqet duke shijuar diellin, detin dhe pushimet me familjarë, miq apo partnerin e saj.
Dua e nisi vitin me një udhëtim në Francë, së bashku me miqtë e saj.

Në muajin prill, ajo udhëtoi drejt Afrikës së Jugut për një safari me të fejuarin e atëhershëm dhe tashmë bashkëshortin e saj, aktorin britanik Callum Turner, 36 vjeç.
Një muaj më vonë, çifti vizitoi së bashku Kopenhagën në Danimarkë, përpara se Dua të organizonte festën e beqarisë në Ibiza me më shumë se 20 shoqe.

Në qershor erdhi një prej momenteve më të rëndësishme të vitit për këngëtaren. Qindra familjarë dhe miq morën pjesë në dasmën e saj me Callum Turner në Siçili.
Pas ceremonisë, çifti vazhdoi udhëtimin romantik në Itali, ku realizuan një road trip me ndalesa në Romë dhe Porto Ercole, në Toskanë.
Por aventurat e Duas nuk u ndalën me kaq.

Muajin e kaluar, ajo udhëtoi drejt Shqipërisë për të marrë pjesë në festivalin muzikor Sunny Hill, ndërsa javën e kaluar u shfaq në Portofino, në rivierën italiane, ku mori pjesë në festën e beqarisë së mikeshës së saj, Ella Jenkin.
Jeta e saj e mbushur me udhëtime ka bërë që Dua të jetë shpesh në qendër të batutave të fansave, të cilët e kanë komentuar vazhdimisht faktin se ajo duket sikur është gjithmonë me pushime.
Vetë këngëtarja ka reaguar më herët ndaj këtyre komenteve, duke thënë me humor:
“Njerëzit vërtet duan të bëjnë shaka me faktin se jam gjithmonë me pushime. Nuk jam gjithmonë me pushime. Thjesht bëj që gjithçka që bëj të ndihet si pushim.”
Dhe duket se edhe ditëlindjen e saj të 31-të Dua Lipa po e feston pikërisht në këtë mënyrë – mes familjes, miqve, diellit dhe detit. /Telegrafi/
