Janari pa bereqet, Evropa duket shumë larg

Janari pa bereqet, Evropa duket shumë larg

Sport January 25, 2020 - 10:22
Afati kalimtar i dimrit, që ka nisur më 1 janar dhe përfundon edhe pak ditë (më 31 janar), Kosovën e ka zënë si mos më keq

Shpatmal Krasniqi

Vedat Muriqi, Milot Rashica e Amir Rrahmani konsiderohen yje të Përfaqësueses së Kosovës. Të gjithë këta futbollistë e kanë arritur Evropën, derisa hapat e parë në futboll i kanë nisur në Kosovë. Ata po shkëlqejnë me skuadrat e tyre si Fenerbahçe (Muriqi), Werder Bremen (Rashica) ose Hellas Verona (Rrahmani). Madje ky i fundit ditë më parë për 14 milionë euro u transferua te gjiganti italian Napoli.

Gjithsesi, afati kalimtar i dimrit, që ka nisur më 1 janar dhe përfundon edhe pak ditë (më 31 janar), Kosovën e ka zënë si mos më keq sa i përket eksportit të lojtarëve, shkruan sot gazeta "Zëri".

Asnjë futbollist nga Superliga kosovare nuk është transferuar në ndonjë klub të rajonit e lëre më në ndonjë skuadër evropiane.

Image

Ish-futbollisti i mirënjohur kosovar Shpëtim Babaj në të kaluarën ka ndërmjetësuar në kalimin e shumë futbollistëve në Shqipëri dhe jo vetëm. Ai mendon se klubet kosovare nuk po u japin sa duhet hapësirë lojtarëve të rinj. “Klubet kosovare po u japin shumë pak hapësirë lojtarëve të rinj, sepse trajnerët, por edhe presidentët e klubeve i shikojnë vetëm rezultatet dhe te lojtarët e rinj nuk kanë besim.

Tashmë lojtarët nga Kosova nuk po shkojnë as në Shqipëri, pasi në Kosovë po paguhen shumë më mirë, kurse në Evropë nuk po mund të shkojnë, sepse ende Kosova nuk shikohet nga klubet dhe nga menaxherët. Një fakt tjetër është që klubet kërkojnë shuma të konsiderueshme për shitjen e një lojtari”, ka deklaruar Shpëtim Babaj për gazetën “Zëri”.

“Një lojtar i ri nëse synon daljen në Evropë një gjë të tillë mund ta bëjë shumë më lehtë nëpërmjet Shqipërisë, sepse në Shqipëri ka më shumë menaxherë dhe është niveli më i lartë si në infrastrukturë, si dhe me reklamimin e lojtarëve. Këtë fakt e dëshmojnë edhe lojtarët e Përfaqësueses që kanë dalë në Evropë. Të gjithë kanë dalë përmes Shqipërisë, përpos Milot Rashicës”, potencoi Shpëtim Babaj, i cili në karrierën e tij ka luajtur në shtatë kampionate evropiane.

Shosholli: Ne e kemi lëndën e parë, por nuk po e përpunojmë

Trajneri i mirënjohur kosovar Ajet Shosholli vlerëson se klubet kosovare nuk po kanë vizion të qartë për të prodhuar futbollistë, shkruan Zëri.info.

“Nuk kemi një vizion të qartë dhe nuk po punojmë në afate të gjata, që të prodhojmë lojtarë prej moshave të reja për tregun e jashtëm. Të gjithë e dimë se Kosova ka nxjerrë lojtarë dhe ka qenë vatër e talenteve, por ne nuk po punojmë për lëndën e parë. Ne e kemi lëndën e parë, por nuk po e përpunojmë. Rashica, Muriqi, Rrahmani ose Berisha kanë dalë nga Kosova, por mendojë se nuk duhet të kënaqemi me kaq, pasi për të nxjerrë lojtarë të tillë duhet të punojmë shumë dhe të mos ndalemi”, ka thënë të premten për gazetën “Zëri” Ajet Shosholli.

Image

Trajneri me shumë përvojë në futbollin e Kosovës, që ka qenë edhe përzgjedhës i Kosovës në kohën e okupimit, mendon se klubet duhet që të jenë të fokusuara edhe në shkollimin e trajnerëve të rinj. “Klubet duhet t’i shkollojnë trajnerët jo vetëm me disa licenca, mirëpo duhet që të dërgohen edhe në vende të tjera për të fituar sa më shumë përvojë. Duhet t’u kushtojmë sa më shumë rëndësi projekteve me gjenerata të reja, pasi që aty është e ardhmja”, vlerësoi timonieri nga Mitrovica.

Shosholli në fund e bëri një krahasim me Kroacinë, futbollin e të cilit Kosova shumë shpesh e merr si model.

“Dinamoja e Zagrebit dhe Hajduku i Splitit janë skuadra që gjithë fuqinë e tyre e koncentrojnë në shitjen e lojtarëve. Udhëheqësi i Dinamos, Zdravko Mamiç, ka arritur që t’ia sjellë klubit 360 milionë euro nga shitja e lojtarëve. Në këtë mënyrë është zhvilluar klubi kroat”, përfundoi Ajer Shosholli.

Afrim Tovërlani ka shpresa, ai thotë se në Kosovë ka disa lojtarë shumë premtues

Për eksportin e lojtarëve nga futbolli i Kosovës në Evropë ka folur edhe trajneri më i suksesshëm në futbollin e Kosovës, Afrim Tovërlani.

Trajneri nga Prishtina, i njohur si “Toki”, pohon se në Kosovë momentalisht janë disa lojtarë shumë premtues. “Mendoj se janë disa lojtarë të rinj dhe shumë premtues, të cilët gjatë verës do të shiten jashtë vendit. Arsyeja pse tash nuk kanë shkuar jashtë është se klubet tona, të cilat janë në pozita për të “luftuar” për titull të kampionit dhe për Kupën e Kosovës, nuk i lirojnë në këto momente, duke e ditur që nuk mund të marrin ndonjë dëmshpërblim të madh momentalisht”, ka thënë Afrim Tovërlani për “Zërin”.

Image

“Lojtarët që shkojnë nga Kosova zakonisht lidhin marrëveshje për një dëmshpërblim të vogël ose solid dhe kur të transferohen në klubin e tretë klubet tona mund të marrin ndonjë përqindje. Ky fakt nuk po më çudit, pasi edhe gjatë dimrit nuk ka lëvizje të mëdha as në Evropë”, potencoi Afrim Tovërlani. /Zëri.info