FFK-ja dënon Dritën me një mijë euro gjobë, pas incidenteve të tifozëve në ndeshjen ndaj Drenicës
Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës ka marrë vendim ndaj FC Dritës, pas incidenteve të regjistruara në ndeshjen ndaj KF Drenicës.
Sipas raportit zyrtar të delegatit të ndeshjes, në minutën e 48-të të takimit, tifozët e Dritës, të njohur si “Intelektualët”, kanë ndezur mjete piroteknike në tribuna, të cilat kanë përfunduar në fushë. Si pasojë e tymit të krijuar, ndeshja është ndërprerë për rreth dy minuta.
Komisioni Disiplinor ka vlerësuar rastin bazuar në nenin 6, paragrafi 1, pika C, si dhe nenin 18, paragrafi 2, pikat B dhe C të Rregullores Disiplinore, duke vendosur që klubi të dënohet me gjobë prej 1000 eurove.
Në vendim thuhet gjithashtu se afati për pagesën e gjobës është 15 ditë, nga momenti kur vendimi bëhet i plotfuqishëm.