Foda: Kualifikimi në Evropian është synimi i Kosovës
Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, të mërkurën në një konferencë për media, ka folur për miqësoret e qershorit.
Dardanët këtë të diel luajnë në udhëtim kundër Çekisë, kurse, me 7 qershor në ‘Fadil Vokrri’, do të përballen me Andorrën.
Foda fillimisht është pyetur rreth mundësisë së pensionimit të Vedat Muriqit nga ekipi kombëtar.
Ai ka folur edhe për të ardhmen e Milot Rashicës, Fidan Alitit dhe Valon Berishës.
“A do të pensionohet Vedat Muriqi? Kemi pasur kontakte para 10 ditëve. Siç e dini ka zhvilluar shumë ndeshje për Mallorcan dhe ekipi ka rënë në La Liga 2. Tani ka vendosur të pushojë ndërsa nga shtatori do të rikthehet për ta ndihmuar kombëtaren”, ka thënë Foda.
“E ardhmja e lojtarëve tjerë si Milot Rashica, Fidan Aliti e Valon Berisha? Kam biseduar me të tre lojtarët dhe më kanë konfirmuar se janë të lënduar dhe nuk duan të largohen nga kombëtarja. Rreziku ka qenë që të lëndohen nëse ftohen, por asnjëri nuk më ka thënë se dëshiron të largohet”, theksoi ai.
Foda ka folur edhe për prurjet e reja në Kombëtaren tonë.
“Ardhjet e reja? Është sinjal shumë i thjeshtë: Të tre lojtarët i kam vëzhguar, kam qenë edhe në Lugano kur luajtën kundër Sionit. Më kanë pëlqyer duke luajtur, është normale t’i ftoj për ta dëshmuar vetën dhe tani duhet të vazhdojnë në mënyrë që të ftohen sërish në ekipin e parë”, pohoi ai.
Strategu gjerman i Dardanëve e ka pranuar se humbja nga Turqisë nuk ka qenë e lehtë, por sipas tij, tashmë fokusi i Kosovës është në Ligën e Kombeve. Foda thotë se objektivi kryesor i Kombëtares sonë është kualifikimi në Kampionatin e ardhshëm Evropian.
“Sigurisht nuk ka qenë e lehtë humbja me Turqinë por duhet të vazhdojmë tutje. Të shikojmë përpara, të zhvillohemi dhe këto ndeshjet e radhës do të na nevojiten për Ligën e Kombeve. Qëllimi afatshkurtër është qëndrimi në grupin B dhe ai afatgjatë në grupin A. Kuptohet qëllimi më i madh është kualifikimi në Kampionatin Evropian dhe do të punojmë fortë për ta arritur”, ka deklaruar ai.
Foda thotë se e përcjell Superligën e Kosovës. Ai pohon se tre lojtarë i kanë rënë në sy.
“I përcjelli ndeshjet e Superligës së Kosovës. Tre lojtarë më kanë rënë në sy dhe disa janë ftuar në grupmoshat U21. Jam në kontakt të vazhdueshëm edhe me përzgjedhësin për ekipin U21 dhe ai do të më jep detaje lidhur me ta”.
“Rin Ahmeti është një prej tyre, por ai duhet të vazhdojë me të njëjtin ritëm”, përfundoi Foda.
Kombëtarja jonë sot në Kampin Nacional në Hajvali do të zhvillojë stërvitjen e parë para miqësores me Çekinë.