Prenga pa frikë para Joshuas: Jam shqiptar! As babanë tim nuk e respektoj në ring! [Video]
Boksieri shqiptar i peshave të rënda, Kristian Prenga, është i bindur se do të arrijë një nga fitoret më të mëdha të karrierës së tij më 25 korrik, në përballjen me ish-kampionin e dyfishtë të botës, Anthony Joshua, në Jeddah të Arabisë Saudite.
Gjatë konferencës për media të zhvilluar të hënën për promovimin e duelit, Prenga u shfaq plot vetëbesim, duke deklaruar se është gati të befasojë botën e boksit.
“Sinqerisht, kur trajneri më telefonoi dhe më tha se do të luftoja me Joshuan, nuk e besoja. Por i thashë menjëherë po, sepse është koha ime. E respektoj shumë si boksier, e kam ndjekur që nga fillimi i karrierës së tij dhe jam rritur duke e parë në ring”.
“Jam shqiptar. Të premtoj se nëse të godas, nëse të zë, asnjëherë nuk ke ndjerë diçka si goditja ime. Të respektoj. Je një boksier i madh, një luftëtar i madh, por në ring nuk kam respekt as për babanë tim”, tha Prenga.