Raphinha zbulon dobësinë e Brazilit para Kupës së Botës

Raphinha zbulon dobësinë e Brazilit para Kupës së Botës

Sport June 02, 2026 - 18:43

Sulmuesi i Barcelonës, Raphinha, ka folur hapur për aspektet që Brazili duhet t’i përmirësojë para nisjes së aventurës në Kupën e Botës, pas fitores bindëse 6-2 ndaj Panamasë.

Në një intervistë për SporTV, ylli brazilian analizoi paraqitjen e fundit të kombëtares para fillimit të turneut dhe theksoi se skuadra e drejtuar nga Carlo Ancelotti duhet të menaxhojë më mirë ritmin e lojës.

“Na mungon një kuptim më i mirë i lojës, i momenteve kur duhet ta kontrollojmë ndeshjen dhe kur duhet të sulmojmë më shumë. Kjo do të jetë shumë e rëndësishme që të arrijmë në turne më të përgatitur në këtë aspekt”.

“Kishte momente kur mund ta kontrollonim më mirë lojën dhe të tjera kur duhej ta shpejtonim ritmin. Janë detaje që do të kemi kohë t’i përmirësojm”, deklaroi Raphinha.

Ai vuri në pah edhe rëndësinë e organizimit defensiv, sidomos duke pasur parasysh qasjen shumë sulmuese të Ancelottit.

“E dimë se potenciali ynë në sulm është shumë i madh. Nëse arrijmë të organizohemi dhe të mbrohemi si grup, do të jetë shumë e vështirë për kundërshtarët të na mposhtin. Ata do të duhet të punojnë jashtëzakonisht shumë për të na rrezikuar”, shtoi braziliani.

Raphinha gjithashtu lavdëroi brezin e ri të futbollistëve që po i bashkohen kombëtares, duke theksuar se dëshira për fitore është elementi më i rëndësishëm.

“Këta djem të rinj kanë shumë talent dhe një uri të madhe për fitore. Nuk ka kuptim të veshësh fanellën e kombëtares vetëm për të thënë se ke luajtur për Brazilin. Qëllimi duhet të jetë fitimi i trofeve. Pavarësisht moshës, ne jemi të gatshëm ta përfaqësojmë Brazilin në mënyrën më të mirë të mundshme”.

Në fund, sulmuesi i Barcelonës theksoi se uniteti i skuadrës do të jetë vendimtar për suksesin në Kupën e Botës.

“Nëse duam të kemi shanse reale për ta fituar Kupën e Botës, duhet të jemi të bashkuar. Pa unitet, çdo skuadër mund të na krijojë probleme dhe një gabim i vogël mund të vendosë fatin e një ndeshjeje apo të gjithë turneut”, përfundoi Raphinha.

Brazili do ta nisë rrugëtimin e tij në Kupën e Botës më 13 qershor me përballjen ndaj Marokut.