FIFA kërkon të shtyhet ndeshja Francë – Paraguaj shkak moti i nxehtë
Ndeshja e fazës së 1/8 së finales ndërmjet Francës dhe Paraguait, e cila është planifikuar të zhvillohet sonte nga ora 23:00 (me orën e Kosovës), mund të shtyhet për shkak të temperaturave ekstreme të parashikuara në Filadelfia.
Sipas raportimeve në mediat ndërkombëtare, FIFA po shqyrton mundësinë e shtyrjes së takimit, pasi kushtet e motit mund të paraqesin rrezik për lojtarët, zyrtarët dhe tifozët, transmeton Klankosova.tv.
Shërbimi Kombëtar i Motit në SHBA ka lëshuar një paralajmërim për vapë ekstreme në Filadelfia, i cili do të mbetet në fuqi deri në orën 20:00 sipas kohës lokale. Ndërkohë, ndeshja është planifikuar të nisë në orën 17:00 me kohën amerikane.
Sipas parashikimeve meteorologjike, temperatura e ndier mund të arrijë deri në 46 gradë Celsius, duke krijuar kushte të vështira për zhvillimin e ndeshjes.
Rregullorja aktuale e FIFA-s për ndeshjet që zhvillohen në temperatura të larta parasheh se një takim mund të shtyhet ose të ndërpritet nëse temperatura e ajrit arrin ose tejkalon 32 gradë Celsius.
Me temperaturat që pritet të jenë dukshëm mbi këtë kufi gjatë ditës së shtunë, mbetet të shihet nëse FIFA do të marrë vendim për ndryshimin e orarit ose shtyrjen e përballjes Francë – Paraguai.