Infantino nën presion, vihet në pikëpyetje posti

Infantino nën presion, vihet në pikëpyetje posti

Sport August 02, 2026 - 15:03

Pozita e presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, është vënë seriozisht në pikëpyetje pas dështimit të planit për shitjen e një pjese të të drejtave komerciale të Kupës së Botës.

Këtë vlerësim e ka dhënë drejtori i përgjithshëm i organizatës European Leagues, Claudius Schafer, i cili deklaroi se mënyra se si u menaxhua procesi e bën të vështirë vazhdimin e Infantinos në krye të FIFA-s.

Sipas Schaferit, propozimi u shty përpara pa u konsultuar me organet kryesore vendimmarrëse të FIFA-s, përfshirë edhe Këshillin e FIFA-s, gjë që ai e cilësoi të papranueshme për një organizatë të tillë.

“Kur një drejtues promovon një marrëveshje të tillë pa dijeninë e strukturave përgjegjëse, zakonisht pasojat janë të qarta,” tha Schafer për mediat zvicerane, duke lënë të kuptohet se kjo situatë e bën të paqëndrueshme pozitën e Infantinos.

Presidenti i FIFA-s njoftoi të premten se plani ishte tërhequr pas reagimeve të ashpra nga komuniteti ndërkombëtar i futbollit.

Një ditë më vonë, dy konfederatat e mëdha të futbollit, UEFA dhe CONCACAF, deklaruan se kanë humbur besimin në udhëheqjen e Infantinos.

Schafer kritikoi gjithashtu vizionin e FIFA-s, duke thënë se propozimi tregonte se prioriteti kryesor ishte rritja e të ardhurave financiare përmes zgjerimit të garave ndërkombëtare, pa marrë parasysh ndikimin që kjo do të kishte në kalendarin tashmë të ngarkuar të futbollit.

Sipas tij, shtimi i ndeshjeve ndërkombëtare do të dëmtonte kampionatet kombëtare, ndaj European Leagues mbetet kundër çdo plani që rrit më tej ngarkesën e futbollistëve dhe klubeve.