Drita nis sonte sfidën drejt play-offit, përballet me Tre Fiorin
Kampionia e Kosovës, Drita, rikthehet sonte në arenën evropiane, ku e pret një sfidë e rëndësishme në kuadër të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Konferencës. Skuadra gjilanase do të përballet me Tre Fiorin në stadiumin e Serravalles, me ndeshjen që nis në orën 21:00.
Pas një ecurie pozitive në fazat e deritanishme, Drita synon të vazhdojë rrugëtimin e saj në Evropë duke siguruar një rezultat të favorshëm në transfertë. Një paraqitje e mirë në San Marino do t'i jepte kampiones së Kosovës një avantazh të rëndësishëm për ndeshjen e kthimit, e cila do të zhvillohet para tifozëve të saj.
Kualifikimi në fazën play-off do ta afronte Dritën vetëm një hap larg fazës së ligës në Ligën e Konferencës, një sukses që do të përbënte një tjetër arritje të rëndësishme për klubin dhe futbollin kosovar.
Me motivim të lartë dhe besim te cilësitë e skuadrës, Drita hyn në këtë përballje me synimin për të hedhur një tjetër hap drejt historisë evropiane.