Donjeta Sadiku në finale të Lojërave Mesdhetare

Donjeta Sadiku në finale të Lojërave Mesdhetare

Sport August 26, 2026 - 19:51

Boksierja kosovare, Donjeta Sadiku, është kualifikuar në finalen e Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”, ku do të kërkojë medaljen e artë në kategorinë deri në 60 kilogramë.

Sadiku e ka siguruar finalen pas një paraqitje dominuese në gjysmëfinale, duke e mposhtur boksieren greke, Sofia Legaki, me vendim unanim të gjyqtarëve, 5:0.

Boksierja kosovare e ka kontrolluar meçin që nga fillimi. Goditjet e saj kanë qenë të forta dhe të sakta.

Raundi i tretë ishte më i hapur, por Sadiku ka vazhduar ta kontrollojë luftën deri në fund dhe e ka siguruar bindshëm fitoren.

Në finale, Donjeta Sadiku do të përballet me Kristina Kuluhova, boksieren që përfaqëson Serbinë. Kuluhova është me prejardhje nga Rusia dhe garon për Serbinë.

Sadiku tashmë e ka të sigurt medaljen e argjendtë, por synimi i saj është medalja e artë në Lojërat Mesdhetare.

Rrugëtimin drejt finales ajo e ka nisur me fitore në çerekfinale, ku e ka mposhtur turken Esmanur Lok me rezultat 4:1. Në gjysmëfinale ndaj Legakit, Sadiku ka qenë edhe më bindëse, duke mos i lënë shumë hapësirë kundërshtares.

Katër boksierët e tjerë që e kanë përfaqësuar Kosovën në këto Lojëra kanë pësuar humbje që në përballjet e tyre të para.