UEFA pritet të heqë dorë nga bojkoti i garave të FIFA-s
UEFA pritet të heqë dorë nga kërcënimi për bojkot të garave të FIFA-s, pasi ka marrë garanci se plani i diskutueshëm i presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, për investime private nuk do të rikthehet.
Sipas Associated Press, çështja pritet të diskutohet në një takim të anëtarëve të UEFA-s të enjten.
Në fund të korrikut, UEFA kishte njoftuar se 55 federatat e saj anëtare nuk do të merrnin pjesë në garat e FIFA-s përderisa propozimi FIFA Forward Enterprise (FFE) mbetej në fuqi.
Plani parashikonte përfshirjen e investitorëve privatë në një kompani të re që do të menaxhonte aktivitetet komerciale dhe organizimin e ngjarjeve të FIFA-s, përfshirë Kupën e Botës.
FIFA e tërhoqi më herët këtë propozim, ndërsa UEFA kishte kërkuar edhe garanci se një nismë e tillë nuk do të rikthehej në të ardhmen.
Nëse UEFA e anulon zyrtarisht kërcënimin për bojkot, gjashtë kombëtare evropiane do të mund të marrin pjesë në Kupën e Botës U20 për femra, e cila zhvillohet muajin e ardhshëm në Poloni. Në këtë turne janë të kualifikuara Polonia, Anglia, Franca, Portugalia, Spanja dhe Italia.
Përçarje mes UEFA-s dhe FIFA-s
Ndërkohë, përplasjet mes UEFA-s dhe FIFA-s janë thelluar edhe për shkak të zgjedhjeve presidenciale të FIFA-s në vitin 2027.
Italia dhe Rumania janë bërë vendet e fundit që kanë tërhequr mbështetjen për rizgjedhjen e Infantinos.
Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Giovanni Malagò, tha se do të vazhdojnë të punojnë me UEFA-n dhe federatat e tjera evropiane për një futboll të bazuar në meritë, solidaritet, qëndrueshmëri dhe rolin qendror të tifozëve.
Ndërsa presidenti i Federatës Rumune të Futbollit, Rëzvan Burleanu, deklaroi se FIFA ka nevojë për një lider të ri që të sjellë konsensus dhe unitet, në vend që të krijojë përçarje.
Megjithatë, Infantino vazhdon të ketë mbështetës të rëndësishëm, mes tyre Argjentina, Meksika dhe gjashtë federata arabe.
Mbështetje për të ka shprehur edhe presidenti amerikan Donald Trump, i cili në gusht deklaroi se FIFA do të bënte “një gabim të tmerrshëm” nëse do të ndahej nga Infantino.