Vushtrria kërkon reagim të institucioneve pas incidenteve në ndeshjen me Dritën
FC Vushtrria u ka bërë thirrje Federatës së Futbollit të Kosovës, organeve kompetente të garave dhe institucioneve përgjegjëse që të analizojnë me seriozitet ngjarjet e ndodhura gjatë ndeshjes Drita - Vushtrria dhe të ndërmarrin masat e nevojshme në përputhje me rregulloret në fuqi.
Ndeshja ka përfunduar me fitoren minimale 1:0 të skuadrës nga Gjilani, por klubi vushtrrias ka ngritur shqetësime për incidentet dhe sjelljet e disa tifozëve gjatë takimit.
Në reagimin e publikuar pas ndeshjes, FC Vushtrria ka deklaruar se e konsideron të papranueshme mënyrën se si një numër i tifozëve të ekipit mysafir kanë hyrë në stadium, duke pretenduar se kjo ka ndodhur pa paralajmërim dhe pa respektimin e procedurave të nevojshme të përcaktuara nga FFK-ja.
Sipas klubit, menjëherë pas hyrjes së tifozëve mysafirë janë regjistruar incidente serioze. Vushtrria pretendon se është sulmuar autoambulanca e klubit, ndërsa në fushën e lojës janë hedhur mjete piroteknike dhe tymuese.
Klubi ka bërë të ditur gjithashtu se gjatë ndeshjes janë dëgjuar sharje dhe ofendime ndaj FC Vushtrrisë, tifozëve të saj dhe qytetit të Vushtrrisë.
Si pasojë e situatës së krijuar, ndeshja është ndërprerë për trembëdhjetë minuta, duke ndikuar në mbarëvajtjen e takimit.
“FC Vushtrria dënon fuqishëm çdo akt dhune, vandalizmi, përdorimin e mjeteve piroteknike, sulmet ndaj stafit dhe pajisjeve mjekësore, si dhe gjuhën e urrejtjes dhe ofendimet që nuk kanë asnjë vend në futboll”, thuhet në reagimin e klubit.
FC Vushtrria ka theksuar se do të vazhdojë të angazhohet për organizimin e ndeshjeve në një ambient të sigurt dhe sportiv, duke shtuar se respektimi i rregullave dhe siguria duhet të jenë përgjegjësi e të gjithëve.
“Futbolli duhet të jetë festë, respekt dhe garë sportive, jo dhunë, vandalizëm dhe urrejtje”, thuhet në reagimin e klubit.