Flick befason me përgjigjen kur pyetet për prioritetin e Barcelonës: La Liga apo Liga e Kampionëve?

Flick befason me përgjigjen kur pyetet për prioritetin e Barcelonës: La Liga apo Liga e Kampionëve?

Sport September 12, 2026 - 14:17

Hansi Flick ka dhënë një përgjigje befasuese kur është pyetur nëse Barcelona duhet ta ketë prioritet La Ligën apo Ligën e Kampionëve.

Barcelona e ka fituar titullin e La Ligës në të dy sezonet e fundit nën drejtimin e trajnerit gjerman, por trofeun e Ligës së Kampionëve nuk e ka ngritur që nga viti 2015.

Presidenti Joan Laporta e ka cilësuar Ligën e Kampionëve si objektivin kryesor të klubit, mbi çdo garë tjetër. Flick, megjithatë, duket se e sheh ndryshe këtë çështje.

Në konferencën për media të së shtunës, para ndeshjes së së dielës ndaj Levantes, trajneri u pyet nëse e ka të vështirë t’i motivojë lojtarët për ndeshjet e La Ligës, duke qenë se Liga e Kampionëve konsiderohet më e rëndësishme për skuadrën.

Flick theksoi se përgatitja dhe qasja ndaj ndeshjeve të kampionatit nuk ndryshojnë nga ato të garës evropiane, pavarësisht atmosferës së veçantë që e shoqëron Ligën e Kampionëve.

“Gjithçka është njësoj si në dy vitet e fundit. Liga e Kampionëve është një ëndërr, por ta fitosh La Ligën për të tretin vit radhazi do të ishte diçka e jashtëzakonshme”, ka deklaruar Flick, sipas gazetës AS.

Trajneri gjerman ka theksuar se më e rëndësishmja është që futbollistët ta ruajnë përqendrimin dhe formën e tyre gjatë gjithë sezonit.

“Për mua, rëndësi ka mënyra se si stërvitemi çdo ditë dhe si e ruajmë gjendjen më të mirë të mundshme. Si kujdesemi për veten, si pushojmë dhe si e mbajmë përqendrimin”, ka shtuar ai.

Flick ka bërë të ditur se do t’i mbështesë lojtarët, ndërsa prej tyre pret përkushtim maksimal për të arritur nivelin më të lartë.

“Unë do t’i mbështes lojtarët, ndërsa ata duhet të mendojnë se si ta arrijnë nivelin e tyre maksimal. Ne kemi infrastrukturën dhe stafin e specializuar për t’i ndihmuar që ta bëjnë këtë”, ka përfunduar trajneri i Barcelonës. /telegrafi