Rënie drastike për Viniciusin, vlera e tij në treg pëson një ulje tejet të madhe
Vinicius Junior po përjeton një rënie të ndjeshme në vlerën e tij të tregut, teksa përditësimi i fundit i Transfermarkt e ka zbritur brazilianin e Real Madridit në 130 milionë euro.
26-vjeçari ka humbur edhe 10 milionë euro në vlerësimin e fundit, ndërsa në total ka pësuar një rënie prej 70 milionë eurosh krahasuar me vitin 2024, kur vlera e tij kishte arritur në 200 milionë euro.
Kjo rënie përkon edhe me një fillim jo të mirë të sezonit për Viniciusin. Braziliani ka shënuar vetëm një gol në tetë ndeshje, statistika që përbëjnë startin e tij më të dobët përpara portës që nga sezoni i parë në Spanjë, 2018/19.
Në fund të vitit 2024, Transfermarkt e kishte vlerësuar Viniciusin me 200 milionë euro, vlerë me të cilën ai ishte barazuar me Erling Haaland si futbollisti me çmimin më të lartë në treg.
Dy vjet më vonë, vlera e tij ka zbritur në 130 milionë euro, pra 70 milionë më pak ose një rënie prej 35 për qind nga maksimumi i arritur. Megjithatë, ylli i Real Madridit vazhdon të jetë pjesë e dhjetë futbollistëve me vlerën më të lartë në botë.
Në përditësimin e qershorit të vitit 2026, Vinicius vlerësohej me 140 milionë euro, ndërsa tani ka pësuar një tjetër ulje prej 10 milionë eurosh.
Edhe statistikat e tij këtë sezon kanë ndikuar në këtë zhvillim. Viniciusi ka realizuar vetëm një gol në tetë paraqitje dhe shënon mesatarisht një herë në 652 minuta, një shifër që pasqyron edhe vështirësitë e tij të fundit para portës. /telegrafi
