Arteta vazhdon me Arsenalin deri në vitin 2030: “Është privilegj ta lidh të ardhmen time me klubin”

Arteta vazhdon me Arsenalin deri në vitin 2030: “Është privilegj ta lidh të ardhmen time me klubin”

Sport October 07, 2026 - 16:52

Mikel Arteta e ka vazhduar kontratën me Arsenalin deri në qershor të vitit 2030.

Marrëveshja e mëparshme e trajnerit spanjoll skadonte në fund të sezonit 2026/27. 

Arteta, i cili e mori drejtimin e “Topçinjve” në dhjetor të vitit 2019, e ka udhëhequr klubin drejt titullit të Premier League sezonin e kaluar, duke i dhënë fund një pritjeje 22-vjeçare.

Ai gjithashtu e dërgoi Arsenalin në finalen e Champions League, ku londinezët u mposhtën nga PSG-ja pas penalltive. 

Pas rinovimit, Arteta u shpreh i lumtur për vazhdimin e bashkëpunimit:

“Është një privilegj të lidh të ardhmen time me klubin dhe të vazhdoj të punoj me njerëz të jashtëzakonshëm që duan më të mirën për Arsenalin. Ky klub është unik, për karakterin e tij dhe për mënyrën se si të bën të ndihesh. Ndihem jashtëzakonisht i privilegjuar që rrugëtimi ynë së bashku do të vazhdojë.”

Trajneri spanjoll shtoi se marrëdhënia me klubin tashmë është shumë e veçantë dhe se gjërat më të mira mund të jenë ende përpara.

“Kemi krijuar tashmë një lidhje të veçantë dhe kujtime që do të zgjasin gjithë jetën. Gjëja më emocionuese është se ky është vetëm fillimi i asaj që mund të arrijmë së bashku.”

Arteta e ka drejtuar Arsenalin në 361 ndeshje në të gjitha kompeticionet, me 224 fitore, 60 barazime dhe 76 humbje.

Përqindja e fitoreve prej 62.05% është më e larta në historinë e trajnerëve të përhershëm të klubit. 

Nga klubi londinez kanë shprehur bindjen se rinovimi i Artetës shënon fillimin e një epoke të re suksesi, me synimin për të luftuar vazhdimisht për trofetë më të rëndësishëm. /Zëri