Scaloni emocionohet për Messin: “Duhet të lindë një jashtëtokësor që të shfaqet diçka e tillë”

Scaloni emocionohet për Messin: “Duhet të lindë një jashtëtokësor që të shfaqet diçka e tillë”

Sport October 07, 2026 - 23:45

Lionel Scaloni nuk i ka mbajtur dot lotët gjatë lamtumirës së Lionel Messit nga Kombëtarja e Argjentinës.

Trajneri i “Albicelestes” ka folur me emocione të mëdha për kapitenin, pas ndeshjes së fundit të tij me fanellën e Argjentinës.

“U largua më i miri i të gjithëve”, ka thënë Scaloni, duke e përshkruar natën e lamtumirës si një moment që nuk do të përsëritet kurrë.

“Meritonte një natë të tillë. Nuk mund të largohej nga kjo fanellë pa përjetuar një mbrëmje si kjo, sepse diçka e tillë nuk do të përsëritet. Është e pamundur. Duhet të lindë një jashtëtokësor që të shfaqet diçka e ngjashme”, deklaroi trajneri argjentinas.

Scaloni, i cili e ka drejtuar Messin gjatë tetë viteve të fundit, tregoi se ka parë nga afër gjëra që nuk i kishte imagjinuar kurrë se mund t’i bënte një futbollist.

“Kam pasur mundësinë ta shijoj për tetë vite. E kam parë të bëjë gjëra që në jetën time nuk do ta kisha menduar se mund t’i bënte një futbollist. Dhe unë e mora vetëm në vitet e fundit. Imagjinoni çfarë duhet të ketë qenë ta stërvitje kur ishte 20 apo 21 vjeç”, u shpreh Scaloni.

Në fund, trajneri i Argjentinës e cilësoi si një ëndërr faktin që ka pasur mundësinë të jetë trajneri i Messit.

“Ka qenë një ëndërr që arrita ta bëj realitet. Nuk e kisha menduar kurrë se do të isha trajneri i futbollistit më të mirë në histori. I jemi pafundësisht mirënjohës që na dha mundësinë të ishim pranë tij”, përfundoi Scaloni. /Zëri