Federata shqiptare investon në modernizimin e infrastrukturës në “Air Albania”

Federata shqiptare investon në modernizimin e infrastrukturës në “Air Albania”

Sport October 14, 2026 - 13:23

Komiteti ekzekutiv i Federatës shqiptare të Futbollit ka miratuar zgjerimin e sistemit fotovoltaik në stadiumin “Air Albania”, duke vijuar investimet në energjinë e rinovueshme, me synimin për të rritur efiçiencën energjetike, reduktuar kostot e energjisë elektrike dhe minimizuar ndikimin në mjedis.

Sipas njoftimit, ky projekt vjen pas rezultateve pozitive të sistemit ekzistues, të instaluar nga FSHF-ja në tarracën e stadiumit, i cili ka kontribuuar ndjeshëm në reduktimin e shpenzimeve të energjisë dhe në uljen e emetimeve të dioksidit të karbonit (CO2).

Bëhet e ditur se vetëm gjatë periudhës mars-tetor 2026, sistemi fotovoltaik i stadiumit “Air Albania” ka mundësuar shmangien e emetimit të rreth 471.2 tonëve CO2, një ndikim mjedisor i përllogaritur si ekuivalent me mbjelljen e 25.728 pemëve.

“Rezultate të rëndësishme janë arritur edhe në ambientet e Shtëpisë së Futbollit, ku përdorimi i energjisë së rinovueshme ka kontribuuar në shmangien e emetimit të 653.4 tonëve CO2, ekuivalent me mbjelljen e 35.677 pemëve. Në total, investimet e FSHF-së në këto dy impiante kanë mundësuar reduktimin e emetimeve me rreth 1.124.6 tonë CO2, një ndikim mjedisor i përllogaritur si ekuivalent me mbjelljen e 61,405 pemëve”, thuhet në njoftim.

Zgjerimi i miratuar i sistemit fotovoltaik në stadiumin “Air Albania” synon të rrisë më tej prodhimin e energjisë së pastër, duke mundësuar mbulimin e një pjese edhe më të madhe të nevojave energjetike të stadiumit. Ky investim pritet të sjellë përfitime të mëtejshme ekonomike dhe mjedisore, duke reduktuar varësinë nga energjia elektrike e marrë nga rrjeti dhe duke kontribuuar në uljen e gjurmës së karbonit.

Përmes këtyre investimeve, FSHF-ja vijon angazhimin për modernizimin e infrastrukturës sportive dhe integrimin e parimeve të qëndrueshmërisë mjedisore në aktivitetin e saj.