Si Dembélé e Bellinghami, Dortmundi synon ta shesë yllin e ri për 100 milionë euro
Borussia Dortmundi beson se Konstantinos Karetsas mund të shndërrohet në njërin prej yjeve të mëdhenj të futbollit evropian dhe të sjellë një përfitim të konsiderueshëm financiar për klubin.
Sipas raportimeve të mediave gjermane, të përcjella nga “Sport Bild”, drejtuesit e klubit verdhezi kanë pritshmëri të mëdha për talentin 18-vjeçar, i cili iu bashkua Dortmundit gjatë verës nga Genku për rreth 30 milionë euro.
Objektivi i klubit gjerman është që vlera e kartonit të tij të arrijë deri në 100 milionë euro në të ardhmen, duke e kthyer në një tjetër histori të suksesshme të politikës së Dortmundit për zhvillimin e talenteve të rinj.
Për ta ndihmuar Karetsasin të përshtatet sa më shpejt me kërkesat e trajnerit Niko Kovaç, në punën individuale me të është angazhuar Roderick van der Ham, ish-analist i Liverpoolit.
Një nga aspektet ku trajneri kërkon përmirësim është lëvizja pa top, veçanërisht depërtimet pas mbrojtjes kundërshtare.
Dortmundi ka dëshmi se kjo strategji mund të funksionojë. Klubi gjerman përfitoi 148 milionë euro nga shitja e Ousmane Dembélés te Barcelona, ndërsa Jude Bellingham u transferua te Real Madridi për rreth 127 milionë euro.
Tani, drejtuesit e klubit shpresojnë që edhe Karetsas të ndjekë këtë rrugë. Megjithatë, për mesfushorin ofensiv grek, hapi i parë mbetet të dëshmojë potencialin e tij në fushë dhe të konfirmohet si një lojtar i rëndësishëm për Dortmundin. /Zëri