Dembele bën spektakël edhe jashtë fushës: Mund të kërkoj pushime deri në mars
Ousmane Dembele ishte protagonist në fitoren e madhe të Paris Saint-Germainit ndaj Manchester Cityt me rezultatin 4-2 në Ligën e Kampionëve, por sulmuesi francez tërhoqi vëmendjen edhe me deklaratat e tij pas ndeshjes.
Futbollisti i PSG-së, fitues i Topit të Artë për vitin 2025, shënoi golin e dytë të skuadrës së Luis Enriques në minutën e 15-të. Në intervistën për “Canal+”, ai fillimisht foli për paraqitjen e ekipit dhe kritikat që kishte marrë.
“Nuk na intereson aspak që njerëzit kanë dyshuar te ne. Jemi në tetor dhe duhet të jemi në rrugën e duhur në pjesën e parë të sezonit, në mënyrë që të përgatitemi për pjesën e dytë”, deklaroi Dembele.
Megjithatë, sulmuesi francez nuk i rezistoi humorit kur u pyet për pushimin pas ndeshjeve të kombëtareve dhe mungesën e tij në takimin e Ligue 1 kundër Le Mansit.
“Pas pushimit për kombëtaret, shkova me pushime. Madje, ndoshta do të kërkoj edhe disa të tjera”, tha ai me shaka.
Dembele tregoi gjithashtu se sa shumë i pëlqen të luajë në Ligën e Kampionëve.
“Të martën dhe të mërkurën kënaqem vërtet duke luajtur, sidomos kur kthehem nga pushimet”, u shpreh francezi.
I pyetur nëse mund të pushojë sërish në kampionat, ai vazhdoi me të njëjtin stil humori.
“Është e mundur, ndoshta deri në mars”, tha Dembele, duke shkaktuar të qeshura.
Në fund, sulmuesi dhuroi edhe një tjetër moment gazmor, pasi u pyet për kundërshtarin e radhës të PSG-së në kampionat.
“Tani luajmë kundër… Le Havre, besoj”, u përgjigj ai, megjithëse kundërshtari i ardhshëm i parisienëve është Strasburgu.
Kështu, pas fitores së rëndësishme në “Etihad”, Dembele u bë protagonist jo vetëm me paraqitjen në fushë, por edhe me deklaratat e tij plot humor. /Zëri