Futbolli italian e ka prekur fundin, krejt ekipet e Serisë A humbën në Champions

Futbolli italian e ka prekur fundin, krejt ekipet e Serisë A humbën në Champions

Sport October 15, 2026 - 10:37

Futbolli italian po kalon një fillim zhgënjyes në Ligën e Kampionëve, ku katër skuadrat përfaqësuese të Serisë A kanë grumbulluar vetëm katër pikë në tetë ndeshjet e para të fazës së ligës.

Pas dy xhirove të para, tri nga katër skuadrat italiane do të mbeteshin jashtë garës për kualifikim, nëse faza e ligës do të përfundonte në këtë moment.

E vetmja skuadër që aktualisht do të siguronte një vend në play-off është Como, që e nisi garën me fitore në ndeshjen e parë.

Xhiroja e dytë ishte veçanërisht e hidhur për klubet italiane, pasi Interi, Napoli, Roma dhe Como pësuan humbje.

Për herë të parë në histori, të katër skuadrat italiane të përfshira në një xhiro të Ligës së Kampionëve u mposhtën në të njëjtin rund.

Interi humbi 4:3 në shtëpi ndaj Club Brugge, Napoli u mposht 3:1 nga Villarreali, ndërsa Como pësoi disfatë 3:2 në udhëtim te Feyenoordi.

Humbja më dramatike ishte ajo e Romës, e cila u mposht 4:3 nga Real Madridi, pasi kishte epërsinë 3:1, por pësoi tri gola në shtatë minutat e fundit të ndeshjes.

Këto rezultate kanë ngritur pikëpyetje për konkurrueshmërinë e klubeve italiane në arenën evropiane.

Megjithatë, skuadrat kanë ende mundësi për ta përmirësuar pozitën e tyre, pasi në fazën e ligës mbeten edhe gjashtë xhiro dhe 18 pikë të mundshme për secilën skuadër.

Sipas formatit të garës, tetë skuadrat e para kualifikohen drejtpërdrejt në 1/8 e finales, ndërsa ekipet e renditura nga vendi i nëntë deri në të 24-in vazhdojnë në play-off.

Skuadrat që përfundojnë nga vendi i 25-të e poshtë eliminohen nga gara.