Infantino kërkon falje për FIFA Forward Enterprise: “Qëllimi ishte rritja e investimeve në futboll”
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka kërkuar falje për mënyrën se si u trajtua propozimi për krijimin e FIFA Forward Enterprise (FFE), një projekt që synonte të rriste investimet në zhvillimin e futbollit në mbarë botën.
Propozimi parashikonte krijimin e një kompanie të re, e cila do të menaxhonte aktivitetet komerciale dhe organizative të FIFA-s, me mundësinë e përfshirjes së investitorëve privatë.
Synimi ishte rritja e të ardhurave dhe shpërndarja e më shumë fondeve për federatat anëtare.
Megjithatë, projekti shkaktoi reagime të ashpra, veçanërisht nga UEFA dhe federatat evropiane, të cilat shprehën shqetësime për transparencën, mënyrën e vendimmarrjes dhe përfshirjen e kapitalit privat në aktivitetet e futbollit botëror.
Pas kundërshtimeve, Infantino njoftoi tërheqjen e propozimit, duke pranuar se iniciativa kishte krijuar përçarje dhe nuk i shërbente më qëllimit fillestar për bashkimin dhe zhvillimin e futbollit.
Sipas FIFA-s, ideja ishte që fondet shtesë të përdoreshin për përmirësimin e infrastrukturës, zhvillimin e ekipeve kombëtare, krijimin e më shumë mundësive për futbollistët e rinj dhe investime më të mëdha në futbollin e femrave.
Çështja i ka shtuar tensionet mes FIFA-s dhe UEFA-s, ndërsa debati për mënyrën se si duhet të financohet zhvillimi i futbollit botëror mbetet i hapur. /Zëri