Dembélé përgatitet për duelin me Barcelonën: “Do të jetë një sfidë e madhe"
Sulmuesi i Paris Saint-Germainit, Ousmane Dembélé, ka folur për përballjen e ardhshme kundër ish-skuadrës së tij, Barcelonës, në Ligën e Kampionëve.
Shorti i kësaj gare i ka rezervuar francezit një duel të veçantë kundër katalanasve, me të cilët ka luajtur nga viti 2017 deri në vitin 2023.
PSG-ja do ta presë Barcelonën të martën e ardhshme në “Parc des Princes”, në një ndeshje që pritet me interes të madh.
“Pas gjashtë ditësh na pret një tjetër sfidë e madhe kundër Barcelonës, që i ka po aq pikë sa ne në renditje”, deklaroi Dembélé.
Megjithatë, fituesi i Topit të Artë nuk dëshiron që skuadra parisiene të shpërqendrohet nga objektivat e afërta.
Para përballjes me Barcelonën, PSG-ja duhet të luajë në kampionat kundër Strasburgut.
“Fillimisht do të mendojmë për përgatitjen e ndeshjes së së shtunës kundër Strasburgut dhe më pas do të shohim”, shtoi sulmuesi francez.
Dembélé komentoi edhe fitoren ndaj Manchester Cityt në Ligën e Kampionëve, duke vlerësuar paraqitjen e skuadrës në pjesën e parë.
“Pjesa e parë ishte e shkëlqyer dhe kaluam shpejt në epërsinë 2-0. Në pjesën e dytë e ulëm pak presionin, ndërsa Manchester City shtyu fort. Megjithatë, duhet të shohim anët pozitive”, përfundoi ai.
Tashmë, vëmendja e PSG-së është te ndeshja me Strasburgun, përpara duelit të rëndësishëm me Barcelonën, ku Dembélé do të përballet me ish-klubin e tij në një nga ndeshjet më interesante të fazës së Ligës së Kampionëve. /Zëri