Real Madrid kërkon dorëheqjen e presidentit të La Ligës

Real Madrid kërkon dorëheqjen e presidentit të La Ligës

Sport October 16, 2026 - 20:46

Real Madrid ka kërkuar dorëheqjen e presidentit të La Ligës, Javier Tebas, pasi ky i fundit e ka krahasuar mënyrën e raportimit të televizionit të klubit madrilen me metodat e propagandës naziste.

Tebas i ka kritikuar drejtuesit e Real Madrid dhe televizionin e klubit për mënyrën se si i trajtojnë vendimet e gjyqtarëve në ndeshjet e skuadrës.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ai ka thënë se televizioni i Real Madrid përzgjedh rastet që i përshtaten klubit, i përsërit ankesat dhe nxit dyshime ndaj gjyqtarëve.

Kreu i La Ligës i ka krahasuar këto veprime me metodat e propagandës së përdorura nga Joseph Goebbels, ministri i Propagandës së Gjermanisë naziste. Ai ka sqaruar se krahasimi i tij lidhet vetëm me metodat e propagandës dhe jo me ideologjinë naziste apo tifozët e Real Madridit.

Reagimi ka nxitur kundërshtimin e fortë të klubit madrilen, i cili e ka cilësuar deklaratën si të papranueshme dhe jashtëzakonisht serioze.

Në komunikatën zyrtare, Real Madridi ka kërkuar që Tebas të largohet nga posti i presidentit të La Ligës, si dhe nga ai i zëvendëspresidentit të Federatës Mbretërore të Futbollit të Spanjës.

Klubi ka vlerësuar se deklaratat e përsëritura të Tebas tregojnë mungesë neutraliteti, respekti dhe paanshmërie, të cilat, sipas tij, janë të domosdoshme për ushtrimin e përgjegjësive institucionale.

Përplasjet mes Real Madrid dhe Tebas nuk janë të reja. Në shtator, klubi kishte kërkuar një president të ri të La Ligës, pasi Tebas i kishte cilësuar ankesat e madrilenëve për vendimet e gjyqtarëve si përpjekje për të larguar vëmendjen nga problemet e skuadrës në fushë.

Tebas është në krye të La Ligës që nga viti 2013. Ai është rizgjedhur pa kundërshtarë në vitin 2023, me mandat deri në vitin 2027.