Probleme të njëpasnjëshme me aeroplanin, ekipi Nuggets i kalon mbi 24 orë në Meksikë

Probleme të njëpasnjëshme me aeroplanin, ekipi Nuggets i kalon mbi 24 orë në Meksikë

Sport November 09, 2026 - 09:32

Një udhëtim që duhej të ishte rutinë, u shndërrua në makth për Denver Nuggetsin.

Skuadra mbeti e bllokuar në Mexico City për më shumë se 24 orë, për shkak të problemeve teknike me aeroplanin që duhej ta kthente në SHBA.

Gjithçka nisi pas fitores 114:102 ndaj Indiana Pacersit. Kur ekipi ishte gati të largohej, u konstatua një defekt që kërkonte zëvendësimin e një pjese të aeroplanit.

Edhe pse riparimi përfundoi, ekuipazhi zbuloi se dera nuk mbyllej, duke bërë që i gjithë delegacioni të kthehej në hotel gjatë orëve të para të mëngjesit.

Vetëm të dielën pasdite skuadra Nuggets arriti të fluturojë drejt Houstonit, ku lojtarët mbërritën në orën 18:30.

Gazetarja Katy Winge e përshkroi këtë përvojë si një nga netët më të këqija të udhëtimit që mban mend me skuadrën.

Problemet mund të kenë pasoja edhe në parket. Para përballjes me Houston Rockets, të pesë titullarët e Denverit u paraqitën në raportin e lëndimeve me status të pasigurt, duke përfshirë yjet Nikola Jokic dhe Jamal Murray. /Zëri