Alarm në futbollin kosovar: Gjashtë ndeshje, asnjë fitore! Nëntori i dështimeve për Kosovën, kush duhet të japë përgjegjësi?
Nëntori po rezulton një muaj për t’u harruar për futbollin kosovar.
Rezultatet e përfaqësueseve tona, nga ekipi A e deri te grupmoshat e reja, kanë qenë zhgënjyese dhe kanë ngritur pikëpyetje serioze për gjendjen e futbollit në vend.
Bilanci është shqetësues. Përfaqësuesja A barazoi 0:0 me Izraelin, Kosova U21 u mposht 0:2 nga Luksemburgu, ndërsa U19 pësoi dy humbje ndaj Belgjikës (0:2) dhe Skocisë (0:1).
Edhe më rëndë ishte për U17, që u mposhtën 1:8 nga Belgjika dhe 0:4 nga Kroacia.
Këto rezultate nuk mund të kalojnë thjesht si ditë e keqe apo si një periudhë e pafat.
Kur dështimet përsëriten në disa përfaqësuese dhe në grupmosha të ndryshme, atëherë problemi kërkon analizë më të thellë.
Dikush duhet të japë përgjegjësi. Qoftë Federata, trajnerët apo vetë futbollistët, nuk mund të ketë vetëm arsyetime pas çdo rezultati negativ.
Duhet të ketë një analizë serioze, të pranohen gabimet dhe të ndërmerren hapa konkretë.
Sepse fanella e Kosovës kërkon më shumë se pjesëmarrje në gara: kërkon rezultate, angazhim dhe përgjegjësi. /Zëri
