IKD-ja ankohet në PZAP ndaj LVV-së për përfshirjen e fëmijës në tubimin zgjedhor në Vushtrri

IKD-ja ankohet në PZAP ndaj LVV-së për përfshirjen e fëmijës në tubimin zgjedhor në Vushtrri

Zgjedhjet 2026 June 01, 2026 - 14:20

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) me përfaqësues Ehat Miftarajn - drejtor ekzekutiv i IKD-së, ka dorëzuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ankesë ndaj Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) lidhur me përdorimin e një fëmije nën moshën 15 vjeç në tubim zgjedhor në Vushtrri.

Në ankesë thuhet se IKD-ja konsideron që LVV-ja ka shkelur Rregulloren Zgjedhore Nr. 07/2024 për fushatën e zgjedhjeve, monitorimin e fushatës së zgjedhjeve dhe deklarimin financiar, andaj ka kërkuar që t’i shqiptohet gjobë këtij subjekti politik.

Sipas ankesës, IKD të dielën e 31 majit 2026 ka pranuar informacione se gjatë një tubimi të LVV-së të mbajtur në po të njëjtën ditë me fillim rreth orës 18:00, në Vushtrri, në skenë është përdorur një fëmijë nën moshën 15-vjeç.

IKD-ja thekson se në atë video, kryetari i LVV-së, njëherësh kandidati për kryeministër Albin Kurti, i ka dhënë hapësirë në skenë vajzës së mitur, e cila recitoi poezi me mesazhe politike, derisa e mitura kishte veshur bluzë me logo të LVV-së.

“IKD-ja ka shikuar video të atij këtij tubimi, në të cilën shihet se kryetari i këtij subjekti politik, Albin Kurti, i jep hapësirë në skenë një vajze, e cila reciton poezi me mesazhe politike, duke pasur të veshur një bluzë me logo të subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje. Nga pamjet audiovizuale duket të jetë se vajza në fjalë e përfshirë në aktivitet është fëmijë dhe paraqitet si person nën moshën pesëmbëdhjetëvjeçare”, thuhet në ankesë.

Andaj, marrë parasysh këto, IKD-ja konsideron se LVV-ja ka shkelur Rregulloren Zgjedhore për fushatën zgjedhore, specifikisht dispozitën që përcakton se asnjë subjekt politik nuk mund të angazhojë persona nën 15 vjeç në fushatë zgjedhore.