KQZ-ja deklarohet pas vendimeve të PZAP-it: Po presim që vendimet të marrin formën e prerë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të përfundimit të shqyrtimit të ankesave dhe vendimmarrjen e institucioneve përkatëse para se të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Kështu ka thënë Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.
“Mund t’ju konfirmoj se KQZ-ja është njoftuar me vendimet e PZAP-it lidhur me dy ankesat e paraqitura në këtë institucion. Ndaj këtyre vendimeve të PZAP-it, palët kanë të drejtë ankese brenda 48 orëve në Gjykatën Supreme, andaj KQZ-ja do të presë që vendimet të marrin formën e prerë”, tha Elezi për Express.
“Pas plotfuqishmërisë së vendimeve, mbetet të shihet nëse ato përmbajnë obligime konkrete për KQZ-në, për t’i zbatuar dhe pastaj për të proceduar me aktin e shpalljes së rezultateve përfundimtare”, tha ai.