Ndërron jetë Hysen Zherka, një ndër themeluesit dhe profesorët e Fakultetit Juridik

Kronika July 29, 2017 - 20:11

Sot, më 29 korrik 2017, pas një sëmundje të rëndë ndërroi jetë Hysen Zherka, njëri ndër themeluesit dhe profesorët e parë të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës.

Zherka përfundoi studimet themelore të Drejtësisë në Universitetin e Shkupit, ndërsa studimet post-diplomike i kreu në Universitetin e Zagrebit.

Në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës fillimisht ligjëroi lëndën “Procedura Civile” dhe më pas lëndën “Historia e Shtetit dhe e së Drejtës”.

Gjatë karrierës së tij akademike Hysen Zherka shërbeu edhe si Prodekan për Mësim i Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës.

Hysen Zherka ishte ndër pjesëmarrësit më të ri të Luftës Nacional Çlirimtare për çka u dekorua me përkujtimoren e 1941. Pas Luftës ishte gjyqtar për çështje civile dhe zëvendëskryeprokuror i Kosovës.

Varrimi i të ndjerit do të bëhet nesër, më 30 korrik 2017, në ora 18:00 në varrezat e qytetit të Gjakovës. Kortezhi do të niset nga shtëpia e të ndjerit në Lagjen Taslixhe të Prishtinës, Rruga Rexhep Shema Nr. 22, në orën 16:00 me transport të organizuar.