Klubi i Pingpongut Prishtina organizon turne për të ndihmuar Shqipërinë

Klubi i Pingpongut Prishtina organizon turne për të ndihmuar Shqipërinë

Sport December 02, 2019 - 16:19
Detajet

Klubi i kryeqytetit, KPP Prishtina, në bashkëpunim me Rotary Club Prishtina Newborn (RCPNB), organizojnë turne për të mbledhur fonde për Shqipërinë, me datën 4 dhjetor, duke filluar nga ora 18:00, në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, njofton KPP Prishtina, shkruan Zëri.info.

Shqipëria, u godit nga një tërmet prej 6,3 ballësh javën e kaluar, ku dhjetëra persona mbetën të vdekur e qindra të tjerë të lënduar. Që nga momenti i tërmetit të tmerrshëm, po thuajse e gjithë Kosova filloi aksione humanitare për t’i ndihmuar të prekurit nga tërmeti. E një veprim të tillë po e bëjnë edhe KPP Prishtina së bashku me Rotary Club Prishtina Newborn.

Kastriot Orana nga KPP Prishtina u shpreh:

“Të gjitha të ardhurat nga ky organizim do të shkojnë për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri. Pjesëmarrja në këtë turne është 5 euro, kurse për ata të cilët kanë mundësi mund të paguajnë edhe më shumë”, ka deklaruar Orana.

“Ka interesim të madh për të ndihmuar Shqipërinë me aktivitete të ndryshme, kurse ne si klub i pingpongut, kemi organizuar këtë turne që të mbledhim fonde dhe të ndihmojmë sado pak personat e prekur nga tërmeti”, potencoi Kastriot Orana. /Zëri.info