Mbi 129 mijë lëndë civile kanë mbetur të pazgjidhura
Drejtësia civile në Kosovë vazhdon të përballet me ngarkesë të lartë të lëndëve, pavarësisht asaj se gjatë vitit 2025 janë zgjidhur më shumë raste sesa janë pranuar.
Megjithatë, mbi 129 mijë lëndë civile mbeten të pazgjidhura dhe trajtimi i tyre mesatarisht zgjat rreth katër vite.
Raporti i IKD-së evidenton se vetëm një përqindje shumë e vogël e lëndëve zgjidhen përmes ndërmjetësimit.
Lëndët civile vazhdojnë të jenë barrë kryesore e sistemit gjyqësor.
Deri në fund të vitit 2025, mbi 129 mijë lëndë civile kanë mbetur të pazgjidhura, ndërsa një gjyqtar zgjidh mesatarisht rreth 450 lëndë në vit sipas raportit të IKD-së.
Nga parashtrimi i padisë deri në aktgjykimin e formës se prerë në Gjykatën e Apelit, mesatarja e trajtimit të rasteve civile në sistemin gjyqësor është rreth katër vite sipas raportit të IKD-së.
“Pronësia mbrohet me kushtetutë dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, konventën Evropiane dhe legjislacionin në fuqi dhe për këtë arsye trajtimi i këtyre rasteve, mbrojtja gjyqësore është një nevojë kruciale për mbrojtjen e vetëpronësisë, si e drejtë kushtetuese dhe e garantuar me konventin evropiane për të drejtat e njeriut”, thotë Gëzim Shala, IKD.
Shqetësuese konsiderohet edhe pabarazia në trajtimin e lëndëve: në njërën anë ka raste të evidentuara si të zgjidhura brenda të njëjtit vit, ndërsa në anën tjetër ka lëndë që mbeten të pazgjidhura për më shumë se një dekadë. Numri më i madh i aktgjykimeve rezulton të jetë nga lëndët e iniciuara në vitin 2024, çka shpërfaq fokusin e gjykatave në trajtimin e lëndëve të reja.
“Këto dallime tregojnë pabarazi në performancë por mund të reflektojnë edhe dallimin në organizim apo në natyrën e lëndëve që trajtohen", tha për RTK-në Blendina Veliqi nga IKD-ja.
Mbajtja e seancave në zyrat e gjyqtarëve kufizon monitorimin dhe qasjen e publikut në proceset gjyqësore.
Me procedurë të ndërmjetimit janë zgjidhur një përqindje shumë e vogël e lëndëve.